Ymeri për aktakuzën e Hajdarit: Në urgjenca e pasiguri krijohet hajnia

Analisti Visar Ymeri, ka deklaruar se në vend po përsëritet një model ku krijohen urgjenca dhe gjendje pasigurie, të cilat pastaj hapin rrugë për hajninë brenda institucioneve.

Ymeri tha se kur qytetarët frikësohen se mund të mbesin pa ushqime, pa rrymë apo se duhet urgjentisht të ndërtohen projekte brenda afateve të ngushta, krijohet terren për keqpërdorime.

“Këtu është një matricë që na përsëritet gjithnjë: të krijojmë urgjenca. Sepse në urgjencë, kur ka pasiguri, kur ti je i bindur se po mbesim pa bukë ose pa rrymë, ose urat në Mitrovicë janë të domosdoshme me u shtru mrena një muaji, atëherë aty krijohet hajnia,” ka thënë Ymeri.

Ai ka përmendur edhe deklaratat e ish-ministres Rozeta Hajdari lidhur me rezervat shtetërore.

“Për rezervat shtetërore, në deklaratat e Rozeta Hajdarit thojke që atëherë ne kemi qenë në krizë në vitin 2022. Nuk ka pas krizë. Është rrit çmimi gjithandej,” është shprehur ai.

Ymeri ka thënë se e njëjta gjë ka ndodhur edhe me çështjen e energjisë elektrike.

“Njëjtë është edhe me energjinë elektrike: krijoje krizën, rrite çmimin e energjisë, pastaj subvenciono. E aty i kemi pa qysh aty milionat janë keqpërdor,” ka deklaruar Ymeri./Periskopi/