Analisti Visar Ymeri e sheh me rezervë vendimin e Komunës së Prishtinës për ndryshimin e orarit mësimor gjatë muajit të Ramazanit, duke theksuar se shkolla publike duhet ta ketë të qartë misionin e saj.
Sipas tij, çdo institucion ka qëllim të caktuar dhe këto qëllime nuk duhet të përzihen.
Në rastin e shkollës, ai nënvizon se prioritet absolut duhet të jetë mësimnxënia e fëmijëve.
“Institucionet e caktuara kanë qëllime të caktuara. Nuk bën me i perzi qëllimet. Në parim, orari i shkollës duhet me iu përshtat mësimnxënies për fëmijët, jo besimeve ttë arsimtarëve. Kjo është primare. Vetëm mësimi i fëmijëve duhet me qenë qëllimi i shkollës. Si parim, kur ti analizojmë këto gjëra, duhet me i nda. Orari i shkollave bëhet për me ua bë më të lehtë fëmijëve”, shprehet Ymeri në “VV Show”.
Ai vlerëson se vendimi i marrë nga kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, nuk paraqet ndonjë problem të madh praktik, por sipas tij, as nuk ka një arsyetim të qëndrueshëm.
Për Ymerin, nuk duket e udhës që shkolla publike t’i përshtatet orarit fetar të cilësdo feje, pasi funksioni i saj duhet të mbetet i ndarë nga praktikat fetare dhe i orientuar drejt interesit të nxënësve.
“Një vendim i tillë për mu nuk ka najfarë kokëqarje të madhe praktike por as nuk ka shpjegim të qëndrueshëm prapa pse duhet em u mbajt. Është vendim që e ka marrë kryetari i komunës, por vendimi si i tillë për mu nuk është kushedi çfarë nevoje për besimtarët. Nuk më duket e udhës që shkolla publike me iu përshtat orarit fetar të cilësdo fe”.









