Analisti Visar Ymeri e ka lënë fajtor kryeministrin Albin Kurti, në rast se vendi do të shkojë edhe në një palë zgjedhje të reja.
I ftuar në emisionin VV Show, Ymeri ka vlerësuar se loja e Kurtit me opozitën për postin e presidentit rrezikon që do ta çojë vendin drejt një tjetër palë zgjedhje.
“Lëvizja Vetëvendosje po mundohet me e pikturu një realitet ku fajtori është opozita, të cilin nuk po e kuptojnë këta (opozita), sesa po mundohet të gjej zgjidhje. Ndërkohë që javën e kaluar para takimeve me Hamzën e Abdixhikun, Kurti krijonte një përshtypje sikur është i interesuar për të gjetur një zgjidhje. Kjo lojë e Kurtit po e rrezikon me çu vendin në zgjedhje. Nëse shkojmë në zgjedhje të reja besoj se duhet ta themi troç se po shkojmë në zgjedhje për faj të Albin Kurtit, jo për faj të tjetër kujt”, ka thënë mes të tjerash Ymeri.
Analisti politik ka vlerësuar se krerët e dy partive më të mëdha opozitare kanë pranuar që të “thyejnë” parimet e tyre karshi kundërshtimeve ndaj Kurtit, vetëm për faktin që të gjendet një zgjidhje për postin e presidentit.
“Të tjerët (opozita) nuk janë të interesuar për zgjedhje, madje e kanë pranuar të bëhen pjesë e një procesi politik përkundër deklarimeve të tyre të mëhershme. Opozita po i pranon takimet sepse nuk janë të interesuar për zgjedhje, por nëse shkojmë në zgjedhje do të jetë për faj të Kurtit, sepse ai nuk po dëshiron me bo Qeverinë”, ka deklaruar Ymeri në VV Show.










