Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, në mbledhjen e 60-të të Këshillit të Përgjithshëm të kësaj partie ka emëruar mandatar për krijimin e Qeverisë, zëvendësin e tij në parti Glauk Konjufcën.
Ky veprim i Kurtit po konsiderohet taktikë elektorale nga njohësit e rrethanave politike.
Visar Ymeri, drejtues i Institutit Musine Kokollari, duke folur për Periskopin veprimin e Kurtit e ka vleresuar tentim që zgjedhjet të mbahen afër festave të fundvitit. Për këtë Ymeri ka një shpjegim.
“Patjetër që është taktikë elektorale. Në njërën anë ta zvarrisë procesin që zgjedhjet të mbahen sa më afër festave të fundvitit. Duhet pasur parasysh se kjo e vështirëson shumë procesin zgjedhor meqë nuk është një kohë e përshtatshme për të mbajtur zgjedhje”, ka thënë Ymeri.
Sipas tij, Kurti nuk ka pasur interesim për të arritur marrëveshje politike.
“Po ashtu është taktikë tashmë e përdorur disa herë nga Kurti për të tentuar t’i fajësojë partitë tjera si jonkstruktive për ta fshehur kështu dështimin e tij (përmes mosinteresimit) për të arritur marrëveshje politike dhe për ta fshehur po ashtu fajin që e ka për bllokadën kaq të gjatë të konstituimit të institucioneve”, tha Ymeri për Periskopin .
Kurti në mbledhjen e Këshillit ka thënë se partia e tij është fituese e zgjedhjeve të vitit 2025-të dhe të viteve të tjera.
“Lëvizja Vetëvendosje është fituese e 2025-të edhe në 2026-tën edhe në vitet e ardhshme siç po duket edhe nga mentalitet i vjetruar ekstrem bashkëpunues i partive të tjera”, ka thënë ai.
Kurti nga këshilli ka akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës për mos bashkëpunim për të qeverisur me VV-në.
“Sidoqoftë kurdo herë e në çdo rast jemi të gatshme për zgjedhje por jemi edhe të përgatitur edhe për to. Kemi dashur dhe kemi ofruar mundësi për zgjedhje qysh në qershor kur e pamë se nuk donin bashkëpunim. E kemi marrë prej tyre refuzimin e ftesave për bashkëpunim gjersa naj kanë bërë të pamundshëm çfarëdo qeverisje me koalicion me ta”, tha Kurti.
Sipas tij, Kosova ndodhet në këtë situatë për shkak të kalkulimeve të humbësve.
“Jemi në këtë situatë për shkak të kalkulimeve të humbëseve që po përpiqen të zvogëlojnë humbjet e tyre më këso makinacione por kjo është e pamundur”, tha ndër të tjera Kurti.












