Një lojtar i Liverpoolit pritet të largohet nga klubi këtë verë pasi nuk po arrin të gjejë hapësira nën urdhrat e Arne Slot.
46-vjeçari së shpejti do të jetë fitues i Ligës Premier, pasi ka udhëhequr Liverpoolin drejt një sezoni debutues pothuajse perfekt.
Sidoqoftë, ai ka favorizuar një numër lojtarësh si Mo Salah, Virgil Van Dijk dhe Ibrahima Konate, teksa të tjerët si Joe Gomez, Jarrell Quansah dhe Harvey Elliott nuk kanë marrë minuta aq shumë sa kanë pritur këtë sezon.
Sulmuesi italian Federico Chiesa është paraqitur në mënyrë sporadike, pasi ka startuar në vetëm tri nga 20 paraqitjet e tij që prej se u transferua nga Juventusi në verën e vitit 2024, ndonëse ka dy gola dhe dy asistime.
Të dielën e kaluar, Chiesa ishte përjashtuar nga lista e lojtarëve të ftuar për ndeshjen ndaj Leicester Cityt në udhëtim, për t’i liruar vendin rikthimit të Trent Alexander-Arnold.
Mediumi italian Calcio Mercato ka raportuar se 27-vjeçari mund të rikthehet në Itali këtë verë, ku tri klube kanë mundësi reale për ta transferuar atë.
Sipas raportit, opsioni më i përshtatshëm për të do të ishte Interi, pasi Joaquin Correa me gjasë do të largohet nga Serie A këtë verë.
Një tjetër opsion mund të jetë Napoli, por kjo mund të varet potencialisht nga e ardhmja e trajnerit Antonio Conte.
I njëjti medium po ashtu sugjeron se edhe Roma mund të jetë një destinacion për Chiesan, por edhe kjo varet nga disa faktorë të ndryshëm, si kualifikimi në Ligën e Evropës sezonin e ardhshëm, me ‘Giallorossët’ që momentalisht nuk e plotësojnë këtë kusht.