Ylli i “Home Alone” nuk flet me të atin për më shumë se 30 vjet

Macaulay Culkin, aktori i njohur amerikan që u bë i famshëm falë filmave klasikë të Krishtlindjes “Home Alone”, feston 45-vjetorin e lindjes.

Megjithatë, ai nuk ka folur me të atin, Kit Culkin, prej më shumë se 30 vitesh.

Marrëdhënia e tyre u prish përfundimisht që në fëmijërinë e aktorit, kur ai u bë yll i madh në Hollywood dhe, sipas tij, u shfrytëzua nga babai me një orar të ngjeshur pune dhe me fitime të mëdha që shkonin kryesisht për familjen.

Foto: Getty Images

Në një intervistë të fundit, Culkin tha se të shtatë fëmijët dhe katër nipërit e Kit nuk kanë kontakte me të, pasi ai ka qenë abuziv dhe i ashpër.

Aktori e ka cilësuar të atin si narcisist dhe e ka pranuar se që në fëmijëri kishte ndier se nuk donte kurrë të bëhej një prind si ai.

Sipas tij, Kit e kishte përjetuar me xhelozi suksesin e tij të menjëhershëm në audicione dhe role, gjë që e kishte bërë akoma më të ashpër ndaj tij.

Culkin është shprehur disa herë se ka qenë viktimë e abuzimit fizik dhe mendor nga i ati, duke theksuar se kjo përvojë e hidhur e ka shtyrë të emancipojë ligjërisht veten prej tij në vitet ’90.

Ylli i “Home Alone”

Sot, me dy fëmijë nga Brenda Song, ai thotë se gjithmonë mundohet të jetë një baba i kujdesshëm dhe i dashur, krejt ndryshe nga përvoja që pati në fëmijëri.