Yamal rrëfen gjithçka nga vetja: Shkathtësinë në driblim e kam mësuar edhe falë qenve të mi

Lamine Yamal është protagonist i një dokumentari të veçantë të programit “Decoded” në DAZN, i cili i kushtohet historisë së tij si futbollist i talentuar i Barcelonës. Në intervistën me Alberto Edjogo, “Golden Boy 2024” ndau detaje për fillimet e tij, mënyrën se si e sheh futbollin dhe pritshmëritë për të ardhmen. Gjatë bisedës, Yamal bëri edhe një deklaratë të fortë për mentalitetin e tij: “Presioni nuk ekziston, është diçka mendore. Duhet thjesht të mendosh për ta shijuar lojën e futbollit”.

Lamine e shpjegoi më tej këtë koncept: “Kur fillon të luash, e nis nga zero, kështu që nuk ke fare presion. Kur nuk luan mirë, presioni është një justifikim që e kërkon vetë. Nëse nuk mendon për të, atëherë nuk e ke. Duhet vetëm të mendosh për ta shijuar lojën dhe argëtuar, sepse kështu nuk do të kesh asnjë presion. Kjo është ajo që përpiqem të bëj”.

Ai vlerësoi gjithashtu ndihmën psikologjike që i ka dhënë Barcelona ndërsa rritej dhe luante me futbollistë më të mëdhenj: “Është e bukur të ngjitesh në kategori, por kur je 14 vjeç dhe luan me 19-vjeçarë, nuk është e njëjta gjë. Në atë moshë bën budallallëqe, ndërsa ata janë duke paguar qiranë ose duke ngarë makinën e nënës. Psikologia e klubit më ndihmoi shumë, sepse unë isha si një ‘fëmijë i vogël’, në thonjëza”.

Lamine tregoi se nuk iu kushton më vëmendje rrjeteve sociale: “Vitin e parë i shikoja, por para Europianit po lexoheshin gjëra si ‘Nico dhe unë nuk jemi spanjollë, ndërsa Laporte dhe Le Normand po’. Vendosa të mos i shikoja më dhe tani nuk lexoj asgjë, edhe pse ndonjëherë miqtë më tregojnë gjëra”.

Lidhur me mediat, ai theksoi: “Shpesh, kur flitet mirë për ty, është sepse gazetarët mbështesin skuadrën tënde. Kur flasin keq, është sepse janë me një ekip kundërshtar. Gjëja e rëndësishme është çfarë mendojnë për ty trajneri, kapitenët, familja dhe ata që të duan të mirën”.

Duke folur për objektivat e tij në dy vitet e ardhshme, Lamine u tregua ambicioz: “Shpresoj që deri atëherë të kem fituar një Champions League dhe të përjetoj Kupën e Botës me emocion. Në nivel personal, dua të vazhdoj të rritem dhe të arrij nivelin maksimal”.

Duke qenë me prejardhje marokene dhe spanjolle, ai pranoi se është bërë model frymëzimi për shumë fëmijë: “Për shkak të origjinës sime, fëmijët marokenë më kanë si referencë, edhe spanjollët gjithashtu, sidomos pas Europianit 2024. Jam shumë krenar për këtë”.

Duke kujtuar sharjet raciste që mori në një ndeshje kundër Real Madridit, Lamine tregoi një episod të ndjerë me nënën e tij:
“Nëna ime u shqetësua shumë, sepse e pa në telefon dhe mendoi se do të isha i trishtuar. Më telefonoi e shqetësuar, por unë isha shumë i lumtur, sepse kishim fituar 4-0. Nëse do të kishim humbur, ndoshta do ta kisha marrë më personalisht. Në fund të fundit, kur dikush të shan, është sepse nuk ka vlera të mira. Ndoshta tifozët madrilenë ishin thjesht të mërzitur, sepse kishin humbur”.

Lamine tregon se e ëma e ndihmoi të shohë vetëm anët e bukura të jetës: “Gjithmonë i them faleminderit nënës time. Edhe pse e kishte shumë të vështirë, ajo bëri që unë të mos shihja asgjë të keqe dhe të përjetoja vetëm të bukurën”.

Si e sheh veten si lojtar: “Jam kreativ dhe argëtues. Mund të rri një minutë pa prekur topin, por pastaj mund të bëj diçka interesante, që e bën ndeshjen më të bukur për t’u parë. Kështu do ta përshkruaja veten”.

Ai e pranon se as vetë nuk e kishte menduar një ngritje kaq të shpejtë: “E kisha imagjinuar veten si futbollist dhe të luaja një ditë me Barcelonën, por jo kaq shpejt. Jam shumë i lumtur. Është një ëndërr të luash në Champions League”.

Lamine kujtoi një detaj qesharak nga fëmijëria, që ndikoi në stilin e tij të lojës: “Shkathtësinë në driblim e kam mësuar edhe falë qenve të mi. Kur im atë vinte të më merrte nga stërvitja, ata më ndiqnin nga pas, sepse nuk kishin zinxhirë dhe unë duhej t’i shmangia”.