Viti 2025 shënon një kthesë historike në marketingun e futbollit botëror. Fanella më e shitur nuk mban më emrin e Lionel Messit apo Cristiano Ronaldos, por atë të Lamine Yamal. Sipas të dhënave të publikuara nga “SportBible”, 1.32 milionë tifozë kanë blerë fanellën e talentit 18-vjeçar të Barcelonës, duke e ngjitur atë në krye të renditjes globale.
Messi ndjek në vendin e dytë, me rreth 40 mijë fanella më pak, ndërsa Cristiano Ronaldo zbret deri në pozicionin e shtatë, një tregues i qartë i ndërrimit të brezave. Ky sukses lidhet drejtpërdrejt me atë që Yamal ka treguar në fushë. Ai ishte figurë kyçe në triumfin europian të Spanjës, u dallua në Champions League dhe u përmend seriozisht edhe në garën për “Topin e Artë”. Ndikimi i tij shtrihet shumë përtej rezultateve sportive.
Barcelona e Hansi Flick ka sot në duar një markë globale. Mbi të gjitha, Yamal mishëron një profil të ri idhulli. I lirë, i drejtpërdrejtë, shpesh provokues, por autentik, ai është bërë simbol i një brezi që kërkon identitet dhe guxim. Fanella e tij nuk përfaqëson vetëm futboll, por edhe mënyrë jetese. Kjo e bën Yamal jo vetëm të pandalshëm në fushë, por edhe të pakonkurrueshëm në treg. Shenja më e qartë se një epokë e re ka filluar.
The post Yamal përmbys hierarkinë globale, fanella më e shitur në botë mban emrin e tij appeared first on Telesport.













