Yamal kthehet te goli, por shtypi spanjoll mbetet kritik: Ende nuk arrin ta bëjë realisht diferencën

Barcelona u rikthye te fitorja pas zhgënjimit në “El Clásico”, duke mposhtur Elche 3-1 dhe ngushtuar përkohësisht diferencën me Real Madridin. Megjithatë, pavarësisht suksesit, jo çdo gjë ishte pozitive, sidomos për Lamine Yamal.

Talenti i ri blaugrana, ende i shqetësuar nga pubalgjia, zhbllokoi sfidën në minutën e 9-të me një goditje të fuqishme pas asistit të Baldé. Një shkëndijë klasi që elektrizoi publikun në Montjuïc. Gjithsesi, sipas shtypit spanjoll, goli nuk mjafton për t’i fshehur vështirësitë e 18-vjeçarit.

“Mundo Deportivo” theksoi se “u pa dëshira për t’u shpaguar, por niveli i tij fizik ende nuk i lejon të ndikojë realisht në lojë”, ndërsa Jorge D’Alessandro, në emisionin “El Chiringuito”, ishte edhe më kritik: “Dukej i ngadaltë, pak i përfshirë në lojë. Disa nga shpërqendrimet e tij mund t’i kishin kushtuar shtrenjtë Barcelonës”.

Statistikat e konfirmojnë momentin e vështirë: 2 driblime të suksesshme nga 5 tentativa dhe vetëm 70.8% pasime të sakta në 88 minuta lojë, sipas të dhënave të “AS”. Shifra larg standardeve të tij. Të mërkurën, në ndeshjen e Ligës së Kampionëve kundër Brugge, Yamal do të ketë mundësinë t’u përgjigjet kritikave dhe të tregojë se mbetet lideri i Barcelonës.

 

The post Yamal kthehet te goli, por shtypi spanjoll mbetet kritik: Ende nuk arrin ta bëjë realisht diferencën appeared first on Telesport.