Xhelal Sveçlës i humbi bagazhi në aeroport gjatë udhëtimit në Kroaci, mori 342 euro kompensim

Ministri në detyrë i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit ka deklaruar se është kompensuar për humbjen e bagazhit në një udhëtim zyrtar në Kroaci.

Sipas deklarimit të pasurisë, për humbjen e bagazhit Sveçla u kompensua me 342 euro.

Më tej, në bazë të formularit të deklarimit të pasurisë për vitin 2024, ministri në detyrë ka deklaruar se në pronësi të përbashkët ka një shtëpi në vlerë 600 mijë euro dhe po ashtu edhe një lokal në vlerë të 650 mijë eurove.

Para të gatshme, Sveçla ka deklaruar se i ka 2 mijë e 647 euro, prejardhja e së cilave sipas deklarimit vjen nga paga e tij. Në deklarim bëhet e ditur se në pozitën si ministër, ai ka të ardhura vjetore në vlerë prej 19 mijë e 468 euro. Ndërkaq mëditje gjatë vitit 2024, Sveçla mori 2 mijë e 798 euro për udhëtim zyrtarë jashtë vendit.

Si pasuri të luajtshme ai ka deklaruar një veture të tipit “Hyundai” me vlerë prej 11 mijë euro, e blerë me kredi dhe e njëjta është në pronësi të bashkëshortes.

Gjithashtu, Sveçla ka marrë një kredi ndaj një banke në vlerë prej, 19 mijë e 500 euro, kurse vlera e mbetur aktuale e pagesës është 18 mijë e 396 euro.

KËTU mund të gjeni deklarimin e plotë të pasurisë së Xhelal Sveçlës.