Xhaferi (LDK): Qeveria Kurti 3 nuk do ta ketë fatin nesër të votohet

Deputeti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Krenar Xhaferi, ka deklaruar se nuk beson që të dielën, më 26 nëntor, Lëvizja Vetëvendosje do të mund të formojë “Qeverinë Kurti 3”.

Në emisionin “Info Magazine” në Klan Kosova, ai ka theksuar se kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nuk ka bërë punë të mjaftueshme për ta nxjerrë vendin nga kriza disa mujore në të cilën është që nga përfundimi i zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit.

“Mendoj që realisht Qeveria Kurti 3 nuk do ta ketë fatin nesër të votohet. Që nga fillimi, zoti Kurti e ka përdorur një retorikë të tillë që të kalojmë Kuvendin dhe më pas thoshte ‘testomëni’”.

“Nuk ka bërë përpjekje në vazhdim për krijimin e numrave. Në dukje numrat duken, sa i përket Nismës dhe partive të minoriteteve. Sa i përket Lidhjes Demokratike të Kosovës, që nga fillimi e ka pasur qëndrimin se ne nuk hyjmë në asnjë koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje. Pa asnjë dyshim që unë jam pjesë e strukturave të LDK-së dhe ky qëndrim është unik me LDK-në”, ka thënë Xhaferi.

I njëjti theksoi se zgjidhja më e mirë për vendin do të ishte që të pajtohen të gjitha partitë politike për të vazhduar me propozimin e kamotshëm të LDK-së për një qeveri tranzitore.

“Kujtoj që në fazën që jemi, pikërisht në një momentum të tillë politik, qëndrimi i LDK-së ka qenë alternativa më e mirë, një qeveri tranzitore. Ndoshta tetëmujore apo njëvjeçare, ku do të merrej me çështjet ekonomike, sepse jemi buzë një kolapsi ekonomik, dhe me çështjet diplomatike, sepse janë prishur relacionet me miqtë tanë në ShBA dhe shtetet evropiane. Pas katër muajsh vjen edhe problemi i presidentit të Kosovës, ku do të zgjidhej edhe kjo në një qeveri tranzitore. Kujtoj se do të qetësohej skena politike”, ka thënë Xhaferi.