Xavi trondit Barcelonën: Rikthimi i Messit ishte punë e kryer, por Laporta prishi gjithçka

Një intervistë e gjatë e Xavi Hernández për “La Vanguardia” ka rikthyer polemikat rreth rikthimit të dështuar të Lionel Messit te Barcelona në verën e vitit 2023. Ish-trajneri blaugrana ka bërë deklarata të forta për mënyrën se si u menaxhua situata nga presidenti Joan Laporta.

A flisni me Leo Messin?
Po, me Leon kam marrëdhënie të mirë.

A komentoni për zgjedhjet?
Janë biseda private që, duke qenë Leo dhe ditur ndikimin që ka, preferoj të mos them asgjë, por mirë, imagjinoj se të gjithë e dini çfarë mendon, apo jo?

A mund të rikthehej te Barça me ju trajner?
Presidenti nuk thotë të vërtetën, rikthimi i Leo ishte i mbyllur. Në janar 2023, pasi u shpall kampion bote, e kontaktuam dhe ai më tha se kishte dëshirë të kthehej. Folëm deri në mars dhe i thashë: kur të më japësh OK, do t’i them presidentit sepse unë e shoh çështjen futbollistikisht.

Çfarë ndodhi më pas?
Presidenti filloi të negocionte kontratën me babanë e Leos dhe kishim dritën jeshile nga La Liga, por ishte Laporta ai që e ktheu gjithçka mbrapa.

A ju shpjegoi pse?
Laporta më tha tekstualisht se nëse Leo kthehej do të krijonte luftë pagash dhe se nuk mund ta lejonte këtë. Pastaj papritur Leo ndaloi së më ngrituri telefonin sepse nga ana tjetër i kishin thënë se nuk mund të bëhej. Unë telefonova babanë e tij dhe i thashë: Nuk mund të jetë e vërtetë, Jorge. Ai më tha: Fol me presidentin. Dhe unë insistova se kemi pesë muaj që flasim me Leon, është bërë, futbollistikisht nuk kam dyshime, ekonomikisht do të shkojmë në Montjuïc dhe do të bëjmë një ‘last dance’ si ai i Jordan, gjithçka ishte gati.

A vonuat të flisnit sërish me Messin?
Po, sepse ai mendoi se unë isha pjesë e gjithë kësaj. Më ndikoi shumë në marrëdhënien time me Leon, por tani është sërish e mirë.

A do të rikthehet Messi?
Vdisja nga dëshira që Leo të kthehej, mendoj ende sot se do ta ndihmonte ekipin të shënonte gola dhe të jepte pasime vendimtare, pa asnjë dyshim. Leo do të triumfonte sërish në ‘Camp Nou’, kjo ishte dëshira e tij dhe e imja.

Marrëdhënia me Laportën ishte shumë e mirë…
Po, shumë e mirë, në fakt unë firmosa te Barça falë tij, por në fund më zhgënjeu.

Pse?
Më largoi si trajner pa më thënë të vërtetën, i kushtëzuar nga një person që mendoj se është mbi presidentin, Alejandro Echevarría.

Është e vështirë të besohet…
Por kështu funksionon kjo Barcelonë, praktikisht drejtohet nga Alejandro Echevarría. Ishte një person me të cilin kisha marrëdhënie shumë të afërt dhe për këtë është ndoshta zhgënjimi më i madh në largimin tim nga Barça. Më zhgënjeu plotësisht.

The post Xavi trondit Barcelonën: Rikthimi i Messit ishte punë e kryer, por Laporta prishi gjithçka appeared first on Telesport.