Xabi Alonso ka përpara një sfidë të artë; të “ndezë motorët” e Mbappé dhe Vinicius

Mes shumë detyrash që Xabi Alonso ka përpara, një nga më të rëndësishmet do të jetë që të bëjë që partneriteti mes Mbappé dhe Vinicius të arrijë një tjetër dimension. Ato janë dy yjet kryesore të sulmit të Real Madridit, “flamurtarët” e repartit ofensiv që i ka ata si golashënuesit kryesorë.

Sezoni i kaluar, i pari në të cilin u bashkuan rrugët e tyre, la përshtypjen se performanca e të dyve përmirësohej kur luanin të ndarë në formacionin e Ancelottit, veçanërisht në rastin e brazilianit. Të dy kanë si zonë natyrale ndikimi krahun e majtë, ndonëse për francezin është më e lehtë të përshtatet dhe të lëvizë në zona të tjera të fushës.

Gjatë sezonit të kaluar, Real Madridi i pati Mbappé dhe Vinicius së bashku në fushë në 47 ndeshje dhe gjithsej 3.445 minuta lojë. Megjithatë, vetëm në 8 ndeshje shënuan të dy: kundër Real Sociedad, Espanyol, Celta (dy herë), Atalanta, Pachuca, Salzburg dhe Rayo Vallecano. Që nga përballja ndaj Vallecanos, e zhvilluar në “Bernabéu” më 9 mars, ata nuk kanë shënuar më së bashku në të njëjtën ndeshje. Që atëherë kanë qenë në fushë njëkohësisht 13 herë në 22 ndeshje.

Asistime të ndërsjella
Në listën e asistimeve, Vinicius e kalon ndjeshëm Mbappé; 19 kundrejt 5. Braziliani dha 5 pasime goli për Kylian, përfshirë 2 në tripletën e francezit në “Montjuïc”, në rezultatin 4-3, që vendosi fatin e kampionatit. Në drejtim të kundërt, nga 5 asistimet e Mbappé, vetëm 2 ishin për Vinicius, në ndeshjet kundër Espanyol dhe Girona.

Real Madridi i ri, që tashmë po punon në Valdebebas, në prag të nisjes së kampionatit më 19 gusht ndaj Osasunës, ka ende punë për ta zgjidhur këtë nyje. Xabi Alonso ka nevojë që dy yjet e tij të kuptojnë se mund ta forcojnë njëri-tjetrin dhe se nuk mund të qëndrojnë të shkëputur nga puna kolektive.

Nga ajo që u pa në Botërorin e Klubeve, nxirren pak përfundime. Mbappé ishte i sëmurë në 4 ndeshjet e para, luajti disa minuta ndaj Borussia Dortmundit (me një gol të shënuar). Ndeshja e tij e vetme si titullar ishte ndaj PSG-së, ku skuadra e Xabi Alonso u dominua plotësisht që në fillim.

Nëse Alonso arrin të bëjë që ky duet të funksionojë dhe të vihet në shërbim të skuadrës, do të ketë bërë një hap të madh drejt objektivave të tij. Në të kundërt, nëse vazhdon e njëjta prirje si në sezonin e parë së bashku, gjithçka do të bëhet më e ndërlikuar.

The post Xabi Alonso ka përpara një sfidë të artë; të “ndezë motorët” e Mbappé dhe Vinicius appeared first on Telesport.