Linja ajrore “Wizz Air” në bazën e saj në Tiranë, ka shtuar edhe një aeroplan, duke e çuar në 11 numrin e tyre.
Kjo prurje po mundëson nisjen e tri linjave të reja, dy prej të cilave direkte drejt Bremenit të Gjermanisë e Valencias në Spanjë, fillojnë nga dimri i 2023-ës.
E një tjetër për në Selanik të Greqisë është e gatshme të nisë qysh në gusht të këtij viti.
“Caktimi i një avioni shtesë na lejon të forcojmë më tej ofertën tonë për pasagjerët shqiptarë, duke u dhënë atyre mundësi për të udhëtuar në 56 fluturime në 15 vende të Europës dhe më gjerë. Ne besojmë se investimi ynë do të ndihmojë për të sjellë më shumë vizitorë në këtë vend të bukur dhe për të krijuar mundësi të reja për bizneset”, tha Valeria Bragarenco, menaxhere komunikimi në “Wizz Air”.
Përveç mbi 300 persona të punësuar tashmë, ky zgjerim i flotës do të krijojë dhjetëra vende të reja pune, duke përfshirë pozicione për pilotët, ekuipazhin e kabinës dhe stafin e transportit tokësor.