Në pjesën tjetër të dëshmisë së dhënë në Gjykatën Speciale, juristi amerikan, Paul Williams, i cili ka shërbyer si këshilltar ligjor i delegacionit kosovar në Rambuje, tha se ka qenë e qartë se komandantët e zonave duhej të bëheshin pjesë e procesit, derisa u pyet nëse Thaçi ka marrë miratimin e tyre për nënshkrimin e marrëveshjes.
Gjykatësi i cili iu drejtua disa herë për këtë çështje, e pyeti nëse ai ka qenë në dijeni që Thaçi takohej me komandantët e ushtrisë.
Williams, i cili gjerësisht po shpjegon secilën situatë, tha se ka pasur raporte të mira me shqiptarët e Amerikës, të cilët i kanë treguar se Thaçi po takohej me komandantët dhe po merr nënshkrime nga ta.
“Kur u ktheva në Washington, kam pasur biseda të gjata me shqiptarët e Amerikës. Ata më kanë thënë se Hashim Thaçi, duhet të kthehet dhe të flas me komandantët lokalë. Pra kanë thënë që ai po shkon nga njëra zonë te tjetra dhe po merr nënshkrime. Kështu më kanë thënë ata mua, unë po ua them juve. Kjo mendoj se është arsyeja pse ai ka shkuar në terren.”
Duke tentuar të nxjerrë më shumë se ajo që thoshte vet dëshmitari, gjyqtari e parashtron një pyetje të ngjashme.
“Gjykatësi: Mos e merrni kritikë personale, por po ju pyes a keni qenë ndonjëherë në gjendje ta faktoni që Thaçi është takuar me komandantët e zonave?”.
Williams i përgjigjet kështu “Jo, nuk e marr si kritikë, aspak, sepse marrëdhënia ime me shqiptarët e Kosovës ishte që të kisha informacione, aq sa kisha nevojë. Kam qenë shumë i kujdesshëm para se të kërkoj informacione.”
Edhe më tutje, gjyqtari mbetet aty dhe e pyet nëse ka pasur informacione se komandantët e zonave nuk pajtoheshin me nënshkrimin e marrëveshjes së Rambujesë ose nëse kanë rezistuar.
Në përgjigjen e tij, dëshmitari e përmend një takim me Dino Asanaj dhe thotë se e ishte e qartë si ‘drita e diellit’ për përfshirjen e tyre.
“U bë një takim me Dino Asanin dhe ishte e qartë si drita e diellit që komandantët e zonave duhej të bëheshin pjesë e procesit. Brenda kështjellës, ishte e pamundur të përcaktohej statusi i Kosovës. Më tha po të besojmë, tani shko dhe jepe këtë mesazh, dhe na informo me transparencë të plotë se çfarë po ndodhë dhe në mënyrë të tillë të informohen edhe komandantët e zonave. Jo që e thanë kështu specifikisht këto fjalë, por ideja ishte që a po flitej për pavarësi, a do të ketë mbështetje të NATO-s. Ata ishin të harmonizuar të gjithë. Të gjithë në Rambuje ishin të përfshirë që të siguronin përfshirjen konstruktive në negociata”, , përfundoi Williams. /Klankosova.tv