Wesley Clark do ta fillojë dëshminë të hënën në Gjykatën Speciale

Ish-komandanti i NATO-s, Wesley Clark, do ta fillojë dëshminë në Hagë të hënën në orën 12:00.

Ky është ndryshimi që është bërë i ditur nga avokati i Hashim Thaçit.

Ai pritet të dëshmojë deri në tri ditë, kurse të mërkurën do të ketë koneferencë për ecurinë e çështjes.

Ish-këshilltari politik i Wesley Clark, Michael Durkee në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ka thënë se në kohën kur kishte ndodhur takimi mes tyre dhe Hashim Thaçit në mars ose prill të 1999-ës në Mons të Belgjikës, nuk e dinin se cilat ishin kapacitete e UÇK-së. Në dokumentin që iu prezantua dëshmitarit, thuhej se në atë takim ishin Hashim Thaçi, Ramë Buja, Jakup Krasniqi, Xhavit Haliti, Azem Syla, Blerim Shala, Edita Tahiri, Mehmet Hajrizi, Fehmi Agani dhe Gjergj Dedaj, raporton “Betimi për Drejtësi“. Dëshmitari tha se i njeh të gjithë këta emra, por që vetëm Thaçin dhe Jakup Krasniqin e kishte takuar. “Të gjithë ata emra unë i njoh në kuptimin që jo si persona që i kam parë ose takuar vetë. Personat që i kam takuar personalisht kanë qenë zoti Thaçi dhe Krasniqi dhe emrat tjerë janë thjesht të dëgjuar dhe jo të takuar”, tha Durkee. Në këtë takim, Clark sipas dëshmitarit po mendonte se deri në çfarë mase do mund të bashkëpunohej me ata. “Ishin të gatshëm që të gjenin mënyra për të marrë mbështetje e NATO-s për fushatën ajrore për t’i rezistuar shtypjes serbe” i shpreh Durkee. Kurse për kapacitete ushtarake të UÇK-së, Durkee tha se në atë kohë s’kishin ndonjë informacion të mirë dhe se nuk mund të bënin vlerësime sa i përket kapaciteteve të tyre. “Në atë kohë s’kishim informacion shumë të mirë dhe se nuk mund të bënim vlerësime sa i përket kapaciteteve të tyre. Pra, nuk e dinim se cilat ishin kapacitetet e tyre ushtarake saktë. E dinim që kishin luftëtarë në terren”, tha Durkee. Ai tha se ishte e qartë se delegacioni i shqiptarëve dhe UÇK-ja ishin të vendosur për pavarësinë nga Serbia. “Ishte e qartë që ata ishin të vendosur për pavarësi nga Serbia”, deklaroi dëshmitari