Presidenti amerikan Donald Trump po planifikon të dëbojë një milion emigrantë në vitin e tij të parë të mandatit në Shtëpinë e Bardhë, raporton Washington Post, duke cituar disa burime të afërta me administratën.
Ky synim ambicioz tejkalon ndjeshëm shifrat e mëparshme të deportimeve, me numrin më të lartë të regjistruar prej rreth 400,000 emigrantësh në një vit gjatë presidencës së Barack Obamës.
Sipas burimeve të WP, Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë, Stephen Miller, është duke punuar përditë me zyrtarë të Departamentit të Sigurisë Kombëtare dhe agjencive të tjera federale për të realizuar këtë plan. Administrata e Trump aktualisht është në bisedime me rreth 30 vende për t’i bindur që të pranojnë emigrantë të deportuar që nuk janë qytetarë të tyre.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur pasiguria për të ardhmen ekonomike është në rritje mes qytetarëve amerikanë. Një raport i titulluar “The Great Stay: 2025 State of the Labor Market”, i kryer nga platforma My Perfect Resume, tregon se 81% e të anketuarve kanë frikë se mund të humbasin punën këtë vit, ndërsa 20% e tyre ndihen “shumë më të shqetësuar” sesa vitin e kaluar.
Raporti thekson një pasiguri të theksuar në tregun e punës në SHBA, ku punonjësit kanë filluar të ndryshojnë punë më rrallë nga frika e pushimeve dhe një recesioni të mundshëm ekonomik.