Këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare, Michael Waltz, ka përsëritur thirrjet drejtuar Evropës që të marrë përsipër “garancinë e sigurisë për Ukrainën” dhe të rrisë shpenzimet për mbrojtjen në Evropë.
Waltz iu përgjigj pretendimeve të liderëve evropianë se janë përjashtuar nga negociatat, duke theksuar se pala amerikane mbetet e përkushtuar ndaj ndërmjetësimit në bisedime.
“Nëse doni të bashkoni të dyja palët, duhet të flisni me të dyja. Dhe ne do të vazhdojmë t’ua kujtojmë të gjithëve, fjalë për fjalë, disa minuta pasi presidenti Trump përfundoi bisedën me presidentin Putin, ai telefonoi dhe bisedoi me presidentin Zelensky”, tha Waltz.
Ai shtoi se aleatët dhe partnerët evropianë janë konsultuar dhe informuar për të gjithë hapat në lidhje me negociatat në baza ditore.
Për më tepër, këshilltari amerikan për sigurinë kombëtare edhe një herë nënvizoi rëndësinë e rritjes së buxhetit për NATO-n.
“Fakti që një e treta e aleatëve tanë të NATO-s ende nuk kontribuojnë për mbrojtjen me të paktën 2 për qind të GDP-së së tyre, një dekadë pas marrëveshjes që kemi arritur së bashku, është i papranueshëm”, tha Waltz.
Duke komentuar opsionet dhe mundësitë për garancitë e sigurisë ndaj Ukrainës, zyrtari amerikan tha se vetëm me një kontribut më të fortë nga vendet evropiane këto garanci mund të kenë kapacitet të plotë.
“Të gjithë duhet të japim kontributin tonë në mbrojtjen e përbashkët dhe presim që kjo të jetë një rrugë dykahëshe për aleatët tanë evropianë. Fakti që Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe vende të tjera po flasin për një kontribut më të fuqishëm në sigurinë e Ukrainës, ne e konsiderojmë një gjë të mirë”, përfundoi ai.