VV papritur mirëbesuese ndaj Gjykatës Kushtetuese, “sepse janë shtrirë në të, dhe e dinë që rrëzohet kërkesa e AAK-së”

Këto fjalë janë thënë nga majat e hierarkisë së Vetëvendosjes ndaj Gjykatës Kushtetuese, instancës fundore të mbrojtjes dhe garantimit të kushtetuetshmërisë. Kjo Gjykatë, për Vetëvendosjen, ishin thjesht një fre politik i ndikuar nga partitë opozitare e ambicieve të tyre në sipërmarrjet ligjore që rezultonin antikushtetuese; këto të konstatuara më shumë se dhjetë herë. Duke nisur prej Byrosë së Konfiskimit të pasurisë, që synonte ndërtimin e një organi në duar të qeveritarëve e deri te Ligji për Çmimet Tavan, që po ashtu ndërtohej jashtë rendit dhe rregullimit kushtetues të vendit. Por, krejt papritur gjuha u zbut ndaj këtij institucioni. Pse?

Vetëvendosja, pa shumicë parlamentare, tash e njëzet e katër seanca dështon të kalojë propozimin e vet për Kryetare të Kuvendit, të autorizuar me precedan kushtetues në vitin 2014: por, precedani ia jep të drejtën e propozimit, por nuk ia jep edhe 61 numra që duhet t’i fitojë në zgjedhje ose të arrijë marrëveshje politike. Në mes të procedurës, ndërroi metodën e votimit kur Albulena Haxhiu shënonte dështime serike çdo 48 orë. Dolën në votim të mbyllur. As kjo s’i kalon.

Vetëvendosja në çdo deklarim për media ftonte partitë ish-opozitare t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese: deri sa edhe ndodhi kur AAK e dërgoi. Tash e më shumë se dy javë, VV shprehet me kollaj dhe e jep dukshëm të mirëqenë rehatinë e konkluzionit të vendimit në favor të tyre. Nga përjashtues kategorik të kësaj gjykate, në mirëbesues.

Gazetari Lirim Mehmetaj, këtë përmbysje e sheh si dëshmi se tashmë Vetëvendosja “është shtrirë dhe në Gjykatë Kushtetuese” dhe konstaton se “tash jemi më në rrezik se kurrë”.

“Ka qenë e ditur. Vetëvendosja po e priste ta kap këtë institucion, sikur secilin institucion tjetër. Përfundimi i mandatit të ish-Kryetares së GjK-së, Gresa Cakës, ua krijoi këtë mundsi. Tashmë keni vërejtur ndryshimin e krejtësishëm të Vetëvendosjes në raport me Kushtetuesen”, tha Memetaj për ‘Nacionale’.

“Dikur i kërkonin të dilte në zgjedhje për t’u legjitimuar, tash thonë po e presm vendimin e kësaj gjykate se i besojnë verbërisht. Çfarë logjike ka kjo? Çka ndryshoi përpos gjyqtarëve që i kontrllon.

Me shumë mundësi Vetëvendosja e ka kuptuar që Kushtetuesja kërkesën e AAK-së rreth mundësisë së ndryshimit të mënyrës së votimit për procesin votues ka filluar, dhe do ta shpall si të papranueshme për trajtim. Vendim që Vetëvendosja besn se e përkthen në marketing të mjaftueshëm politik për të fajësuar palën tjetër se bllokoi kot procesin deri më tani”, tha Mehmetaj.