VV në Prizren me aksion simbolik pas arrestimit të zyrtarës së urbanizmit: Komuna është shndërruar në vatër të kr*imit ndërtimor

Lëvizja Vetëvendosje në Prizren ka reaguar përmes një aksioni simbolik pas arrestimit të zyrtarës së Urbanizmit Shpresa Osmanollaj e cila  dyshohet për keqpërdorime të rënda në lëshimin e lejeve ndërtimore nga Drejtoria e Urbanizmit në Komunën e Prizrenit, përcjell KosovaPost.

Në reagimin e saj, Vetëvendosje thotë se ky rast është vetëm maja e ajsbergut të një sistemi të kapur, ku Komuna e Prizrenit është shndërruar në vatër të krimit ndërtimor dhe pasurimit klientelist. Aksioni simbolik i zhvilluar sot nga aktivistët e kësaj partie, përmes rrethimit të ndërtesës komunale me shirita “Zonë e Krimit”, kishte për qëllim të denoncojë publikisht, siç u tha, “kapjen e institucioneve dhe degradimin e qytetit”.

“Ky skandal nuk përfundon me një zyrtare të ndaluar. Përgjegjësia fillon në majë të piramidës. Adresa e krimit është Shtëpia e Bardhë, me tandemët që udhëheqin këtë komunë – Totaj dhe Elshani”, thuhet në deklaratën e VV-së.

Hulumtimi i “Betimi për Drejtësi” kishte zbuluar se Osmanollaj, në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim dhe Hartën Zonale të Prizrenit, kishte lëshuar leje ndërtimore për objekte që kapnin vlerë milionëshe, përfshirë rastin e “Albanica Home”, i lidhur me vëllain e shefit të kabinetit të kryetarit të komunës. Ajo dyshohet gjithashtu për lëshim të certifikatave përdorimi për objekte që nuk përmbushnin kushtet ligjore ndërtimore.

Vetëvendosje kërkon hetim të thelluar nga organet e drejtësisë dhe dorëheqje të menjëhershme të të gjithë zyrtarëve të përfshirë në këtë zinxhir të keqpërdorimeve.

“Prizreni meriton transparencë, drejtësi dhe zhvillim të qëndrueshëm urban – jo pazare me betonin dhe ligjin”, përfundon reagimi i VV-së.

The post VV në Prizren me aksion simbolik pas arrestimit të zyrtarës së urbanizmit: Komuna është shndërruar në vatër të kr*imit ndërtimor appeared first on Kosovapost.net.