Me dorëheqjen e parevokueshme të Ramush Haradinajt nga posti i Kryeministrit, në opinion kanë filluar të diskutohen mundësitë për koalicion mes Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, si dy parti më të mëdha opozitare në Kuvendin e Kosovës.
Megjithatë, as LDK por as VV deri më tani nuk ka vendosur për një koalicion të mundshëm parazgjedhor.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së, Arben Gashi i tha “Gazeta Blic” se në ditët në vijim, Këshilli i Përgjithshëm i partisë do të vendos për çështjen e koalicionit.
“Për këtë vendos Këshilli i LDK-së. Është ende herët të flitet për koalicione”, tha Gashi.
Në anën tjetër deputeti nga radhët e VV-së Ismajl Kurteshi, pohon se ka disponim për koalicion me partinë e Isa Mustafës, LDK-në mirëpo sipas tij për këtë pritet të vendoset në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, i cili pritet të mbahet brenda pak ditësh.
“Ende nuk është caktuar se me cilën parti të bëhet koalicion, për këtë vendos Këshilli i Përgjithshëm i partisë dhe jo një individ. Në mbledhjen e Këshillit do të trajtohen të gjitha çështjet e nevojshme dhe aty do të vendoset për koalicion, megjithëse ka disponim që të bëhet koalicion me LDK-në, por asesi me partitë që deri tani kanë qenë në qeveri”, ka thënë Kurteshi.
Ndryshe, zgjedhjet të parakohshme, po i shohin si rrugë të vetme për të tejkaluar këtë situatë edhe dy partneret e koalicionit qeverisës, Kadri Veseli nga PDK dhe Fatmir Limaj nga NISMA.