VV me sabah te Haradinaj: Ta votojmë buxhetin nëse na i jep paret e PSD-së
Lëvizja Vetëvendosje ka tentuar që ta kushtëzojë kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinajn për votimin e Projektligjit për buxhet – raporton Periskopi.
Burime të Periskopit brenda Kryeministrinë bën të ditur se mëngjesin e sotëm, zyrtarë të Vetëvendosjes kanë biseduar me kryeministrin Haradinaj dhe se i kanë thënë atij se do ta votonin Projektligjin për Buxhet, në këmbim të ndryshimit të Ligjit për Financimin e partive politike.
Sipas të njëjtave burime, kryeministri Haradinaj ka refuzuar këtë ofertë të Vetëvendosjes.
Ndryshimi i këtij Ligji do t’ia mundësonte Lëvizjes Vetëvendosje që të vazhdonte t’i merrte paratë që në fakt iu takojnë deputetëve që tashmë janë larguar nga kjo parti.
Partia Socialdemokrate përmes ndryshimit të Ligjit për financimin e partive politike, kërkon që të marrin mjete financiare për partinë dhe Grupin Parlamentar të tyre, prej 12 deputetëve.
Me Ligjin aktual, kësaj partie nuk i mundësohet të marrë buxhet nga Fondi për Mbështetjen e partive.
Vetëvendosje, që nga viti i kaluar ka 19 deputetë, por ka marrë më shumë se 1.1 milion euro në vit, aq sa do të duhej të merrte për 32 deputetë.
Në Projektbuxhetin e këtij viti, është paraparë shuma prej 4.2 milionë eurove për Fondin për Mbështetjen e partive politike, që u ndahet partive, sipas numrit të ulëseve në Kuvend./Periskopi