Lëvizja Vetëvendosje gjatë ditës së djeshme ka paralajmëruar protesta masive për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj dhe dërgimin e vendit në zgjedhje të reja. Por partia tjetër opozitare, Lidhja Demokratike e Kosovës ua ka kthyer shpinën. Qëndrimi zyrtar i LDK’së është se ‘nuk do i bëhen bisht askujt’. Deputeti i VV’së, Ismajl Kurteshi përmes Periskopit ka një përgjigje për ta.
Ismajl Kurteshi, deputet i VV’së ka thënë se ashtu ua merr mendja LDK’se dhe ashtu le të mbetet. Megjithatë, ai thotë se partia e tij për të organizuar protesta masive kërkon vetëm përkrahjen e qytetarëve, të çfarëdo partie qofshin ata.
‘’Unë nuk e kam ndërmend me i komentu as deklaratat e LDK’së e as të askujt. Qashtu ua ka marrë mendja, qashtu kanë thënë.Ne e kërkojmë përkrahjen e qytetarëve të Kosovës pavarësisht cilit subjekt politik i takojnë. Edhe atë përkrahje e kemi pasë edhe në të kaluarën. E dini që protestat e shtatorit kanë qenë masovike dhe pritet që edhe protestat e radhës të jenë masovike sepse cështja është e qytetarëve, e kombit, nuk është e Vetëvendosjes. Nuk është dicka për interes tonin, por janë interesat e vendit’’, ka qenë përgjigja e Kurteshit.
Ndërsa zyrtari për media i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, në një deklaratë dhënë Periskopit ka konfirmuar qëndrimin e nënkryetarit të kësaj partie, Agim Veliu, se nuk do t’i bashkohen protestave masive, të paralajmëruara nga Lëvizja Vetëvendosje për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.
Mustafa ka thënë se qëndrimi i Veliut, është qëndrim zyrtar i partisë.
Derisa është pyetur për deputeten Osmani, Mustafa sërish ka përsëritur qëndrimin e mëhershëm se Veliu si nënkryetar është kompetent të jap qëndrimin e partisë për këtë çështje.
Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti në një konferencë të mbajtur për media gjatë ditës së djeshme paralajmëroi protestë masive kundër kësaj Qeverie dhe dërgimin e vendit në zgjedhje të reja.
Protestave, do t’ju paraprijnë tubimet me qytetarë në komuna të ndryshme, të cilat kanë nisur sot nga VV’ja në Vushtrri.