Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi ka thënë se ende nuk është përfunduar lista përfundimtare e rregulluar që tregon saktë sesa aplikues jashtë vendit janë konfirmuar e sa janë refuzuar.
Sipas tij kjo nuk është shkelja e fundit në këtë proces zgjedhor për të cilin thotë se janë duke e minuar partitë e mëdha.
“Prej sot është dashur të fillohet me fletëvotimin dhe votimin nga votuesit jashtë vendit. KQZ ende nuk është e përgatitur dhe ka shkelur këtë afat. Është ndër shkeljet më të rënda. Nuk kanë mundur të ballafaqohen me numrin e madh të aplikuesve. Vonesat për publikimin e listave përfundimtare janë evidente, votuesit jashtë vendit ende nuk e dinë se kush është certifikuar e kush jo. Verifikimi ka mbetur në mes të rrugës. Votuesit që jetojnë jashtë vendit janë me të drejtë të shqetësuar me këto shkelje”, ka shtuar ai.
Tutje Kurteshi thotë se këto tejkalime të afateve, bëjnë me dije se KQZ ka kaluar në rrafshin e kryerjes së veprave penale.
“Kjo që ka ndodh sot i bie sikur më 14 shkurt të shkoni me votu e ju të mos i gjeni fletvotimet. Kjo pengesë është e qëllimshme. Kam kërkuar që ta ftojmë një mbledhje urgjente sot është dashtë të bëhet certifikimi i listës. Me këto pengohet dhe rrezikohet krejt procesi zgjedhor. Me vonesat e njërit proces vonohen të tjerat. Na mundemi me rreziku arritjen e fletvotimeve për ditën e zgjedhjeve. Duke marrë parasysh që afatet sot është dita e fundit për certifikimin e listës e publikimin e fletvotimit. Nëse zvarriten këto afate munden me ardh deri te rrezikimi i procesit”, ka thënë ai.