Lëvizja Vetëvendosje e ka shtuar presionin ndaj Gjykatës Kushtetuese në lidhje me rastin nr. KO265/25.
Pas vendimit të Kushtetueses për të pezulluar punën e Kuvendit, zyrtarët më të lartë të VV-së kanë tentuar të ndikojnë në punën e kësaj gjykate për rastin e zgjedhjes së nënkryetarëve të Kuvendit nga komunitet joshumicë, të cilin e ka dërguar Lista Serbe.
Ata ia kanë treguar rrugët gjykatë. Sipas tyre, Kushtetuesja duhet ta dërgojë vendin në zgjedhje të reja.
Ndonëse juristët më të njohur të vendit kanë bërë me dije se një gjë e tillë është e pamundur, zyrtarët e VV-së pretendojnë se gjykata duhet të bëjë këtë gjë.
Një gjë të tillë e ka kërkuar edhe nënkryetar i VV-së, Glauk Konjufca.
Në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të VV-së, ku kjo parti e nominoi Kurtin për kryeministër, Konjuca ka deklaruar se Kushtetuesja nuk ka zgjidhje tjetër.
“Edhe Gjykata Kushtetuese i kontribuoi krizës. Qasja e saj ishte më shumë politike se kushtetuese. Ajo është para një vendimi të madh, Kushtetuta e Republikës tonë nuk jep kurrfarë supremacie në relacion me kryesinë e Kuvendit partisë fituese serbe, prandaj Gjykata nuk ka çfarë të interpretoi përveç Kushtetutës. Ose do të hapet rruga që Kuvendi të vazhdoj ose do të shkojmë në zgjedhje”, ka deklaruar Konjufca.
Skenari tjetër, sipas tij, do të ishte më i keqi i mundshëm për Kosovën.
“Një skenar në nivel të tradhtisë shtetërore, skenar që i jep Listës Serbe dhe Beogradit të drejtën e vetos mbi Republikën e Kosovës. Republika e Kosovës nuk mund të mbetet peng i Listës Serbe”, është shprehur Konjufca.
Të njëjtë gjë ia ka kërkuar sot Kushtetueses edhe ish-kryetarja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari.
Në një prononcim për “IndeksOnline”, ai ka thënë se në këtë situate e vetmja zgjidhje janë zgjedhjet e reja.
“Nëse do të kemi aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese, megjithatë unë mendoj që në aspektin demokratik dhe të funksionimit institucional, zgjidhja e vetme nga situata aktuale janë zgjedhjet e reja parlamentare. Nuk e shoh të mundshme kthimin në normalitet pas gjithë kësaj bllokade”, ka deklaruar Kusari-Lila.
Ditë më parë edhe ushtruesi i detyrës së ministrit të Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka bërë me dije se Gjykata Kushtetuese i ka dy zgjidhje kushtetuese.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se njëra nga to është që gjykata ta autorizo presidenten që t`i shpall zgjedhjet e reja.
“E dyta, meqë Kuvendi i Kosovës tashmë ka ezauruar edhe procedurën e shortit të përcaktuar në Rregulloren e Kuvendit nga tri herë për secilin kandidatë, atëherë aktgjykimi i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese është ekzekutuar në tërësi, ku në mungesë të vullnetit të deputetëve për të konstituuar Kuvendin, Gjykata Kushtetuese duhet t’i jap autorizim Presidentës së vendit që t’i shpall zgjedhjet e jashtëzakonshme duke u bazuar në nenin 82 të Kushtetutës sipas analogjisë. Secili vendim tjetër, në formë kundërkushtetuese Republikën tonë e bën të varur nga një subjekt politik i cili çdo ditë minon rendin kushtetues të vendit tonë”, ka shkruar ai.
Juristët thonë se Kushtetuesja nuk mund ta dërgojë vendin në zgjedhje
Njohësit e çështjeve kushtetuese kanë bërë me dije se Gjykata Kushtetuese nuk mund ta dërgojë vendin në zgjedhje të reja.
Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka bërë me dije se nëse Kushtetuesja do të merrte një vendim të tillë do ta komprometonte rëndë këtë institucion.
“Shkuarja në zgjedhje me urdhër të Gjykatës Kushtetuese do ta komprometonte rëndë këtë institucion aq thelbësor për Kosovën dhe për rrugën e saj euroatlantike. Kjo për dy arsye të pakontestueshme. Së pari, pa konstituim të Kuvendit nuk mund të shkohet në zgjedhje, sepse një Kuvend që nuk është konstituaur thjesht nuk ekziston në rendin kushtetues. Kjo është çështje elementare e logjikës juridike dhe e teorisë së shtetit”, ka deklaruar ai, duke dhënë detaje tjera.
“Një veprim i tillë do të ishte një anomali e paimagjinueshme në ndonjë sistem serioz kushtetues: do të futeshim realisht në Librin e Ginisit për absurditete juridiko-kushtetuese. Më tej, një precedent i tillë do të hapte rrugën që pas çdo cikli zgjedhor, subjektet humbëse të instrumentalizonin kryesuesin e përkohshëm për të bllokuar qëllimisht konstituimin e Kuvendit, duke e shndërruar rendin parlamentar në një krizë ciklike dhe duke instaluar anarki institucionale të qëndrueshme. Në zgjedhjet tjera, beteja do të ishte për gjetjen e një kandidati sa më të moshuar për deputet”, ka thënë Hasani.
Edhe avokati Faton Fetau ka vlerësuar se gjykata nuk mund çojë vendin në zgjedhje.
“Gjykata Kushtetuese nuk mund ta çojë vendin në zgjedhje për shkak të moskonstituimit të Kuvendit, kjo nuk është detyrë e Gjykatës Kushtetuese e as kompetencë e saj. Zgjedhje pa konstituim të Kuvendit nuk mund të ketë”, ka thënë Fetahu.