VV i prerë ndaj Nismës – Rexhaj: Nuk bëhet shteti me pazare për poste

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, në emisionin “Info Nata” në Tëvë1 ka komentuar skenarët e mundshëm pas datës 8 gusht, lidhur me zhvillimet politike dhe vendimin e pritshëm të Gjykatës Kushtetuese për konstituimin e Kuvendit të Kosovës.

“Fillimisht duhet të shohim se çfarë do të thotë vendimi i radhës i Gjykatës Kushtetuese, mirëpo paralelisht me këtë duhet tërhequr disa momente nga moskonstituimi i Kuvendit dhe një perspektivë se si e shoh këtë çështje”, u shpreh Rexhaj.

Ai theksoi se akti i konstituimit të Kuvendit duhet të ishte solemn, duke u bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2014, që cakton një afat 30-ditor për këtë proces.

“Mendoj që të gjithë ata që janë marrë me interpretime me lehtësi, do të duhej që të respektohej afati për konstituimin e Kuvendit”, tha ai.

Sa i përket dështimit të bashkëpunimit me Nismën Socialdemokrate, Rexhaj tha se shkaku ka qenë kërkesa e tyre për postin e kryeparlamentarit.

“Mendoj që ka kaluar koha kur subjektet e treta apo të pesta merrnin atë që nuk u takonte. Nisma kishte kërkesë që posti i kryetarit të Kuvendit t’u takonte atyre, edhe pse kanë vetëm tre deputetë”, tha Rexhaj, duke shtuar se një veprim i tillë do të ishte i papërgjegjshëm dhe joparimor.

“Ne i kemi ofruar Nismës që të vijë me neve në qeveri dhe të udhëheqë vendin, por ata kanë insistuar në postin e kryeparlamentarit, çka e bën të pamundur bashkëpunimin”, përfundoi ai.

The post VV i prerë ndaj Nismës – Rexhaj: Nuk bëhet shteti me pazare për poste appeared first on Kosovapost.net.