VV i çon ‘llaf’ Haradinajt, refuzohet: Glauk Konjufca ‘pa inciativë serioze’, e mërkura e zë pa vota

Glauk Konjufca, mandatari për qeveri jetëshkurte deri në prill, do ta ketë shkurt këtë rol kushtetuetshmërisht të dhënë. “Jo”-a ndaj tij është po aq e trashë sa edhe “Jo”-a ndaj Albin Kurtit, i cili ia mësyu parlamentit me vetëm 56 vota, ku u rrëzua nga mandatarësia për formim të qeverisë. E mërkura shënon kalendarin e fundit kushtetues për “Konjufca I” të mandatuar me dekret presidencial pa pasur as edhe një garancë se i ka numrat për shumicë të thjeshtë.

Përfoljet në prapaskena e në rrjete sociale janë se Konjufca po synon të merr votat e deputetëve individualë, por edhe të partive ish-opozitare. Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ringurtësuan “Jo”-në edhe në takim të Kryesisë së partisë, ku temë parësore patën zgjedhjet e reja parlamentare që supozohen të shpallen me t’u formalizuar edhe dështimi i Konjufcës të mërkuren, çka pritet pa-një-pa-dy.

Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së, pas takimit të kryesisë së partisë së vet njoftoi se ka pranuar fjalë për takim: por, se përgjigja është negative; dhe, për më tepër, “nuk janë seriozë”. AAK ka një prerje të madhe diskursive ndaj Vetëvendosjes, çka njihen kualifikime të rënda të Haradinajt ndaj kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurtit.

“Kanë kërkuar zotri Konjufca për komunikim ose nga zyra e tij, ka pasur kërkesa për takim, por nuk e shohim që me shku në takime ta zëmë si ajo shprehja “Qitma votën si vëlla se e du Kosovën, Kosovën nuk është që e do vetëm një të gjithë e duam dikush më shumë ndoshta”, ka thënë Haradinaj.

“Por nuk ka diçka serioze në qasjen e tyre, nëse do të kishte ndonjë propozim e dini qëndrimin tonë, por nuk ka pasur një propozim bashkëpunimi apo ndarje e përgjegjësive, dua të jem i sinqertë. Nuk jam takuar dhe nuk kam plan të takohem me pi kafe”.

Burime jozyrtare se po provohet një ftesë/propozim ndaj AAK-së për pesë votat e tyre në favor të zgjedhjes së Konjufcës, i mohoi Bekë Berisha i AAK-së përmes një përgjigje në telefon për Nacionale.

Decidivisht jo”, tha Bekë Berisha. “Nuk kem as ofertë, as kurrgjë. Ftesa është ‘Hajde se ne jem burra të mirë, qitna votën për Kosovë. Edhe Fitore Pacolli m’u bë ministre’. Kjo është hajgare”.

Glauk “konsensual” Konjufca, mandatimi…

Mbi tetëdhjetë vota llogaritej që Glauk Konjufca do t’i kishte po të propozohej për Kryetar të Kuvendit qysh në seancën e parë konstitutive të 15 prillit.

Arsyet ishin të dyshtresshme: përvoja e deputetëve ish-opozitarë nga legjislatura e kaluar me të si udhëheqës i punës së parlamentit në mënyrë jopartizane, fer në trajtim, gjithpërfshirës, i njohur edhe për votime abstenuese ose kundër partisë së vet kur dilema kushtetuese mbinin mbi një filan-ligj të propozuar nga Vetëvendosje; dhe, e dyta, komunikues me taborret tjera politike në nivel personal, si përshëndetje e mirësjellje elementare, trajtë kjo e pagjetshme në mesin e deputetëve të Vetëvendosjes të njohur për agresivitet diskursiv dhe unitaritet të plotë mendjeje partiake.

Nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me t’u mbledhur legislatura e re, Konjufcën e quajtën “figurë konsensuale” dhe “të pranueshëm” për të qenë sërish Kryetar i Kuvendit, post ky kushtetuetshmërisht i kodifikuar për partinë e parë në rezultatin zgjedhor, ndonëse i kushtëzuar me “kompromis dhe konsensus” nga partia e parë me të tjerët: dhe assesi e imponueshme.

Shtatë muaj më vonë, Konjufca është “mandatari i dytë” për formim të Qeverisë “Konjufca 1”, për çka tash të gjithë janë të një mendjeje: “Jo”.

Konjufca e pranoi se votat nuk i ka, dhe se shpreson se ndokush mund ta vendos atë në udhëheqje të shtetit përmes një “bashkëpunimi”.

Leximi mbizotërues, në anën tjetër, ishte se Konjufca u propozua për një shtyrje më shumë të datës së zgjedhje, në një elektoralisht të favorshme për Vetëvendosjes, me një numër më të madh të pranisë së diasporës nga fundi i fundit.