Tetëmbëdhjetë ditë që nga zgjedhjet parlamentare – konfuzioni ende mbizotëron se kush mund ta bëjë qeverinë: dhe kush me kënd?
Lëvizja Vetëvendosje përjashton të gjithë dhe paramendon të mund të ndërtojë shumicë parlamentare dhe qeveri vetëm – por, s’i ka numrat askund në horizont.
PDK përjashton Lëvizjen Vetëvendosjen, dhe i mban sytë kah opozita shumicë shqiptare.
AAK përjashton Vetëvendosjen, dhe po ashtu e mban vështrimin kah opozita shumicë shqiptare.
NISMA ka dalë në rrafsh të paqartë që në masë të gjerë u pa edhe/edhe.
LDK përjashton koalicion edhe me Vetëvendosjen, por edhe me opozitën – duke qëndruar ose për zgjedhje të reja ose për të qëndruar sërish në opozitë.
Se si do të bashkohen këto pika – që asnjëra s’bëjnë shumicë parlamentare për të ndërtuar qeveri: mbetet të shihet pas certifikimit të rezultateve përfundimtare nga KQZ-ja: sipas këtyre të fundëve, më së largu deri më 5 mars, shkruan Nacionale.
T’i hymë me rend qëndrimeve të partive një-nga-një…
Vetëvendosja pretendon se me vota të diasporës rritet në mandate dhe se shumicën do ta bëjë veten: megjithatë, sipas njohësve të numrave, edhe po qe se 80% të votave të diasporës po t’i merrte, më së largu kap 50 mandate.
Mirëpo – gjasat, sipas matjeve dhe sondazheve, është që Vetëvendosje të merr 60% të votave të diasporës dhe shkon në 48 deputetë.
Vetëvendosja, përkatësisht akterë të saj, kanë relaksuar gjuhën, e disa madje dhe në superlativ, për Fatmir Limajn e NISMA-s, çka ësht parë si një koketim i hapur,
Partia Demokratike e Kosovës e përjashton kategorikisht – edhe në rast të marrjes së postit të kryeministrit – çfarëdo koalicioni me Vetëvendosjen dhe pretendon me një siguri të habitshme epistemologjike, se do të ketë qeveri të opozitës.
“Ne e kemi lexuar drejt rezultatin zgjedhor, sigurisht se kemi rregullat dhe procedurat. I takon fillimisht partisë së parë që të provojë të formon qeverinë, mirëpo ne jemi të bindur se qeverinë e ardhshme të Republikës së Kosovës do të udhëheq opozita e deridjeshme”, ka thënë Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, në një intervistë me gazetarin e Nacionales, Muhamet Koci.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e ka dhënë pa-një-pa-dy që në asnjë rrethanë me Vetëvendosjen – as në rast të marrjes së postit të kryeministrit.
Për AAK-në dhe Nismën, pati thënë Ramush Haradinaj, AAK-NISMA, qëndrimi është për një qeveri të opozitës. Për këtë qeveri eventuale të opozitës, Haradinaj pati thënë në “Pressing”, koalicioni i vet “nuk do të vendos(te) kushte” karshi Bedri Hamzës dhe Lumir Abdixhikut.
NISMA, megjithatë, ia rrotlloi hesapet Haradinajt.
Fatmir Limaj – pasi numrat i luajtën mirë, tre deputetë (mbase rrugës për katër) nga tetë gjithsejt të koalicionit – hoqi murin e artikuluar nga Haradinaj për Vetëvendosjen. S’e përjashtoi as VV, e as askënd – “kushdo që më fton, unë shkoj ulem – për interes nacional”.
Lidhja Demokratike e Kosovës, në anën tjetër, deri sot ka qëndrim që me asnjërën palë – as me Vetëvendosjen e as me ish-opozitën, përkatësisht me PDK-në dhe AAK-NISMA.
Një zyrtar i LDK-së konfirmoi për Nacionale se qëndrimi i LDK-së është dy-shtresësh: ose shkuarje në zgjedhje të reja ose qëndrojnë në opozitë.