VV aksion para Prokurorisë Speciale, Kurteshi: Kishte urdhër politik nga maja e shtetit për vrasjen e Deharit

Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje në një konferencë për media para Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, ka folur për rastin e Astrit Deharit.

Në aksionin e sotëm ku janë vendosur disa banerë për prokurorë e gjyqtarë të cilët janë pensionuar dhe rasti Dehari ende s’ka përfunduar, Kurteshi ka thënë se edhe prokurori Afrim Shefkiu po del në pension pa përfunduar rastin.

“Ne si LVV e kem ftuar këtë konferencë për media, për të treguar një kronologji të rastit të Astrit Dehari, për veprimet dhe mos veprimet e prokurorisë së shtetit, përfshirë Prokurorinë Themelore, dhe atë Speciale, e sidomos mosveprimet e prokurorit special, Afrim Shefkiu, që tani e tri vjet e nëntë muaj e ka mbajtur rastin, dhe tani shkon në pension pa i përfunduar hetimet për rastin Dehari”, është shprehur ai.

Kurteshi i ka cilësuar Thaçin e Veselin si “majë të shtetit” që sipas tij, e kanë pranuar se Dehari është vrarë.

Ai ka thënë se të përfshirë në “inskenim” kanë qenë edhe Policia, Prokuroria dhe AKI-ja.

“Urdhri ‘për vrasje’ ka qenë politik nga maja e shtetit, fatkeqësisht në atë kohë nga presidenti i vendit dhe kryekuvendari që edhe në mjete të informimit kanë pranuar se është vrasje rasti i Deharit dhe ata kanë dhënë urdhër të drejtpërdrejt për veglat e tyre në Prokurori, Gjykatë, AKI e Polici për ta inskenuar rastin”, ka thënë ai.

Kurteshi ka bërë edhe një kronologji të rastit të Astrit Dehari, ndërsa tha se zvarritja po bëhet më qëllim.

“Zvarritja është e qëllimshme, por nuk do të ndodhë deri në pafundësi, e vërteta do të zbulohet”, tha ai.