Të hënën është përuruar aparati i ri i mamografisë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Vushtrri, një projekt i rëndësishëm që vjen si rezultat i bashkëpunimit mes Komunës së Vushtrrisë dhe Islamic Relief Kosova.
Kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi, ka theksuar se ky aparat modern do të mundësojë diagnostikim më të hershëm dhe më të saktë të kancerit të gjirit, duke kontribuar ndjeshëm në përmirësimin e shërbimeve shëndetësore për gratë e komunës sonë.
Idrizi ka falënderuar të gjithë partnerët për përkushtimin dhe bashkëpunimin në realizimin e këtij projekti kaq të rëndësishëm për komunën e Vushtrrisë.
Të pranishëm në këtë ngjarje ishin drejtori i Islamic Relief Kosova, Mohamed Soliman, themeluesi i Islamic Relief Worldwide, Dr. Hanny el Banna, si dhe profesoresha Selvete Sholla, e mbijetuar e kancerit të gjirit, një zë i fuqishëm për ndërgjegjësimin dhe kujdesin për shëndetin e gruas.