Vushtrria hap konkursin për Festivalin e Poeteshave Shqiptare 2019

Këtë vit në Vushtrri do të mbahet edicioni i 37-të i festivalit “Takimet e Poeteshave Shqiptare 2019”, në të cilin inkurajohen që me poezitë e tyre të konkurrojnë të gjitha krijueset shqiptare nga të gjitha trojet shqiptare, përfshirë edhe poetet nga mërgata.

Siç theksojnë zyrtarët komunalë, qëllimi i konkursit është ruajtja, kultivimi dhe zhvillimi i kulturës tek femrat shqiptare. Po ashtu, nxitja, motivimi dhe promovimi i krijueseve shqiptare.

“Besojmë shumë se me organizimin e Festivalit ‘Takimet e poeteshave shqiptare’, i cili do të mbahet për herë të 37, në Vushtrri, po arrijmë t’i shmangim barrierat që na ndajnë, dhe kështu, përmes fjalës së bukur shqipe, të bëhemi bashkë, ashtu siç na ka hije.Fjala shqipe na ka bashkuar dhe do të na bashkojë gjithmonë, andaj besojmë se me vargjet tuaja, edhe Ju, poeteshat e kohës sonë, do të vëni gurë në kalanë e vjetër të gjuhës sonë të ëmbël”.

“Padyshim, juria do ta ketë punën e vështirë, sepse të zgjedhësh vargjet më të mira, nga pena e poeteshave më të mira shqiptare, nuk është aspak e lehtë. Megjithatë, poeteshave shqiptare u urojmë suksese, gjithnjë duke shpresuar në një konkurrenencë të madhe”, ka thënë drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Vushtrrisë, Fatmire Cecelia.

Afati i dërgimit të poezive është 15 ditë nga data e shpalljes./ InfoKomuna/