Vushtrria-Ballkani ndahen në paqe

Ndeshja në mes të Vushtrrisë dhe Ballkanit përfundoi me barazim 0-0, në stadiumin “Ferki Aliu” në Vushtrri në një atmosferë fantastike.

Në këtë takim, zhvillohej luftë e madhe për çdo top, saqë nuk erdhi asnjë gol.

Ekipi vendas kishte raste të shumta shënimi, por nuk arriti t’i konkretizonte. Vushtrria kërkonte fitoren me çdo kusht që t’i rrit gjasat për inkuadrim direkt në Superligë, por nuk e arriti. Vendasit në këtë takim e merituan fitoren, mirëpo fati nuk ishte me ta në këtë takim.

Në anën tjetër, mysafirëve nga Suhareka iu konvenoi ky barazim, ku siguruan inkuadrimin direkt në Superligë, së bashku me KEK-un, i cili tashmë ndodhet në vendin e parë, pas fitores 1-2 kundër Fushë Kosovës.

Vushtrria gjendet në vendin e tretë, ku do të luajë në barazh me Flamurtarin.

Ndërkaq, Hajvalia dhe Kosova e Prishtinës bien nga Liga e Parë.