Zëvendëskryeministri serb, Aleksandar Vulin, gjatë një takimi që pati me presidentin rus Vladimir Putin në Vladivostok, në Forumin Ekonomik Lindor, tha se “Serbia e udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq nuk do të bëhet kurrë anëtare e NATO-s, nuk do të vendosë kurrë sanksione ndaj Rusisë dhe kurrë nuk do të lejojë që të ketë ndonjë veprim anti-rus të kryera në territorin e saj”.
“Serbia nuk është bërë dhe nuk do të bëhet pjesë e histerisë anti-ruse”, tha Vulin, siç raporton N1.
Ai tha se Serbia e respekton dhe e vlerëson Rusinë dhe Forumi Ekonomik Lindor është dëshmi se sa e gabuar është përpjekja për të izoluar Rusinë, duke shtuar se Serbia nuk do të marrë pjesë kurrë në një politikë të tillë, transmeton gazeta online Reporteri.net.
“Kur Rusia kujdeset për Serbinë, kur i intereson se si jeton dhe çfarë bën Serbia, atëherë është më e lehtë për ne serbët. Po të mos kishte mbijetuar Rusia gjithë këta shekuj, as Serbia nuk do të ekzistonte. Ne jemi popuj që na lidh jo vetëm e kaluara e përbashkët, por edhe e ardhmja, tha ai.
Vulin po ashtu thuhet se i përcolli Putinit “përshëndetjet personale, të përzemërta, vëllazërore të Presidentit serb Aleksandar Vuçiq”.
Më herët në qershor, Vulin u takua në Moskë me ministrin e Punëve të Brendshme të Rusisë, Vladimir Kolokoltsev, sekretarin e Këshillit të Sigurisë Ruse, Sergei Shoigu, dhe me zëvendësministrin e Punëve të Jashtme të Rusisë, Alexander Grushka.
Ajo ishte vizita e parë zyrtare e Vulinit në Rusi prej se u zgjodh në postin e zëvendëskryeministrit të Serbisë.
Vulin ish-drejtor i Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit (BIA) – është nën sanksione nga Shtetet e Bashkuara, ndër të tjera, për shkak të lidhjeve të tij me Rusinë. Prej se Moska e nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës mbi dy vjet më parë, Vulin e ka vizituar Rusinë disa herë.