Vulaj: Kosova e tërheq vëmendjen e ShBA-ve vetëm përmes sigurisë

Martin Vulaj nga Shoqata për Marrëdhënie Shqiptaro-Amerikane ka folur për vëmendjen që së fundmi i është dhënë në Senat edhe situatës në Kosovë.

Sipas Vulajt, sfera ku Kosova mund të tërheqë deri diku vëmendjen e ShBA-së është vetëm ajo e sigurisë.

“E para është shumë mirë që po kemi Seanca të reja rreth çështjes së Kosovës, megjithëse se kjo ka pasë kontekstin e Ballkanit, epiqendra e saj siç e kemi parë është zgjidhja e çështjes së Kosovës”, ka thënë Vulaj në Info Magazine të Klan Kosovës.

“Kemi kalu një fazë të gjatë që është zbehur interesi për Ballkanin në përgjithësi, dhe për Kosovën në veçanti, dhe kjo është një dëshmi se Kosova ka një rol kyç për krijimin e stabilitetit e rajonit të Evropës Juglindore, dhe se është e rëndësishme”.

“Sfida kryesore është në këtë kohë të ndryshimeve kolosale që po bëhen në riformulimin e rendit botëror, që po e udhëheqin Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që me e tërhjekë sadopak vëmendje te çështja jonë, e vetmja mënyrë që mujmë me e ba këtë, është që me e ndërlidhë interesat që i kemi të përbashkëta me ShBA-në dhe vendi kryesor ku përputhen këto interesa janë në sferën e sigurisë”, tha ai.