Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk po e lë gjuhën kërcënuese dhe nacionaliste.
Ai më 25 korrik, në fjalimin e tij iu drejtua oficerëve të rinj ushtarak duke iu thënë “që ta mbrojnë integritetin territorial të Serbisë”.
Vuçiq sërish në retorikën e tij e paraqiti Kosovën “si pjesë të Serbisë”.
Për këtë, ka reaguar Ambasada gjermane në Prishtinë, duke rikujtuar se Gjermania e ka njohur pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës që nga viti 2008-të.
Në një përgjigje për Klankosova.tv, një zëdhënës i kësaj ambasade theksoi se Gjermania mbetet e përkushtuar ta mbështes integrimin evropian të Kosovës.
” Gjermania e ka njohur Kosovën si shtet të pavarur që nga viti 2008 dhe mbetet e përkushtuar në mbështetjen e sovranitetit të Kosovës dhe integrimit të saj evropian. Për përparim në këtë rrugë, Kosova dhe Serbia duhet të vazhdojnë normalizimin e marrëdhënieve përmes dialogut. U bëjmë thirrje të gjitha palëve të përmbahen nga deklaratat dhe veprimet që pengojnë këtë objektiv”, tha zëdhënësi i ambasadës gjermane për Klankosova.tv.
Qortime Aleksandar Vuçiqi, ka marrë edhe nga Bashkimi Evropian.
BE-ja, bëri thirrje që të shmangen deklaratat që nuk ndihmojnë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, duke theksuar se dialogu është e vetmja rrugë drejt përparimit në rrugën evropiane.
“Vetëm përmes dialogut mund të arrihet përparim në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Duhet të shmangen deklaratat dhe veprimet që nuk kontribuojnë në këtë qëllim”, tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, duke iu përgjigjur një pyetjeje lidhur me deklaratat e fundit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për Kosovën.
“Përparimi në dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës është parakusht që të dyja palët të bëjnë përparim në rrugën e tyre evropiane”, tha zëdhënësi i BE-së.








