Vuçiqi me 7 kërkesa: Zgjedhje në veri, kthimin e serbëve në polici, gjyqësi dhe tërheqjen e Njësisë Speciale nga veriu

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka prezantuar kërkesat dhe lëvizjet e Serbisë, të ndara në pesë fusha, ku e para është ajo e kthimit të një status quoje, për t’i hequr sipas tij, pasojat kryesore të veprimeve të njëanshme dhe të pakoordinuara të kryeministrit të Kosovë, Albin Kurti.

Për këtë, Vuçiq, tha se do të nisë një fushatë diplomatike globale, në të cilën do të përcillet prithsmëria se në të ardhmen e afërt do të përmbushen shtatë kërkesat, sipas tij, të nevojshme për përparim në dialog.

Vuçiq kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të lira lokale dhe demokratike në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen e misionit të BE-së dhe të BE-së.

Kërkesa e dytë e Vuçiqit ishte zbatimi i nenit 9 të Marrëveshjes së parë të Brukselit, ku kërkoi kthimin e serbëve në drejtorinë rajonale të Policisë së Kosovë në veri.

Kërkesa e tretë e Vuçiqit ishte kthimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në funksione gjyqësore, shkruan RTS, transmeton Klankosova.tv.

Ai po ashtu kërkoi tërheqjen e Njësisë Speciale të Kosovës nga bazat dhe pikat e kontrollit në veri të vendit, si dhe tërheqjen e tyre nga institucionet paralele.

Vuçiq më tej kërkoi “formimin urgjent dhe përfundimtar” të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe e edhe lirimin e të gjithë serbëve të arrestuar për siç tha ai “aktivizimin e tyre demokratik, qytetar apo politik, e veçanërisht të arrestuarit për pjesëmarrje në barrikada paqësore”.

Kreu i shtetit serb, si kërkesë të shtatë e pati mundësimin e menjëhershëm të transaksioneve të pandërprera të pagesave dhe shërbimeve postare.