Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar sot, në një bisedë me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Peter Sorensen, se me hyrjen e Kosovës në një aleancë ushtarake rajonale “po rriten më tej tensionet dhe po rrezikohet siguria e popullit serb”, transmeton Paparaci.
“Veçanërisht theksova sfidat me të cilat po përballemi sa i përket pozitës së popullit serb në Kosovë dhe shpreha shqetësimin lidhur me synimet e Prishtinës që nga 15 marsi të fillojë zbatimin e vendimeve të reja përshkallëzuese dhe thellësisht diskriminuese, të cilat rrezikojnë drejtpërdrejt mbijetesën e popullit serb”, ka pretenduar Vuçiqi.
Ai ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare “që të kuptojë seriozitetin e këtyre çështjeve dhe të bëjë gjithçka për të siguruar respektimin e të drejtave të popullit serb”.
“Theksova domosdoshmërinë që, pa vonesa të mëtejshme, të ndërmerren hapa konkretë drejt formimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, të cilin populli serb në Kosovë e pret tashmë prej 13 vitesh”, ka shtuar Vuçiqi./Paparaci.com










