Gazetari dhe udhëheqësi i lëvizjes “Dashuri, besim, shpresë” në Serbi, Nemanja Sharoviq ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po i shantazhon serbët e Kosovës për t’iu bashkuar në kampin e ngritur para Presidencës Serbe.
Sipas Sharoviqit, partia e Vuçiqit, SNS, po i paguan njerëzit nga Kosova për të marrë pjesë në organizimin për “mbrojtje nga studentët protestues”.
“Ata po i shantazhojnë serbët nga Kosova, njerëzit që marrin asistencë sociale atje, që të vinë po ashtu. Dhe SNS-ja i paguan të gjithë. Pagesat dallojnë, për ata më të rëndësishmit nga 100 euro, e për ata tjerët nga 5000 dinarë. Ata i paguajnë këta njerëz”, ka thënë Sharoviqi për N1.
Që nga fundjava e shkuar të rinj serb që thonë se janë studentë janë grumbulluar në një park afër Presidencës së Serbisë dhe kanë ngritur kamp. Sipas raportimeve të mediumeve të pushtetit, ata janë “studentë që duan të mësojnë”, dhe që “duan të kthehen në klasat e tyre sa më shpejtë që të jetë e mundshme”. Ky kamp po konsiderohet si “mburojë” për Vuçiqin para protestës së paralajmëruar për 15 mars nga studentët.
Serbia është duke u përballur vazhdimisht me protesta masive të studentëve që po kërkojnë drejtësi për 15 viktimat e 1 nëntorit kur në Novi-Sad u shemb streha e hekurudhës.