Aleksandar Vuçiq ka pritur sot në presidencën e Serbisë të gjithë kandidatët e Listës Serbe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të mbahen në Kosovë.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është takuar sot me kandidatët e Listës Serbe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare që do të mbahen në Kosovë.
Vuçiq ka zhvilluar takim me 17 kandidatët e Listës Serbe për deputetë, derisa prezent ishte edhe drejtori i të ashtuquajturës zyrës për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.
“Dua t’u bëjë thirrje të gjithë serbëve në Kosovë të marrin pjesë në zgjedhjet e 6 tetorit dhe të votojnë me vetëdijen e tyre, e lutja ime është që të votojnë për Listën Serbe”, deklaroi Vuçiq, raporton “B92”, transmeton lajmi.net. Ai është ankuar për mënyrën e zhvillimit të fushatës.
“Keni qenë në gjendje të shihni fushatën e përbashkët e brutale që është udhëhequr në Kosovë. Atë fushatë e kanë udhëhequr të gjitha partitë politike shqiptare dhe të gjithë kanë folur se sa e rëndësishme është të bisedohet me serbët por jo me Serbinë”, shtoi ai.
“Të gjithë të tjerët kanë qenë të lirë të vijnë, por askush nga ne këtu nuk ka qenë i lejuar të përshëndes popullin e tij dhe përfaqësuesit e popullit të tyre. Listës Serbe po ashtu ia ndaluan transmetimin e një spoti që e kishin krijuar për shkak të slloganit: Thërret Serbia”, u shpreh Vuçiq.