Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq është shprehur se pret që forcat politike që insistojnë në bashkimin me Shqipërinë do t’i fitojnë zgjedhjet e 14 shkurtit në Kosovë, raporton TV Prva.
Vuçiq deklaroi se pas kësaj do të pasojë presioni mbi Serbinë për ta njohur Kosovën si shtet i pavarur.
“Atje me siguri do të fitojnë forcat që këmbëngulin në bashkimin me Shqipërinë. Haradinaj është një njeri i rrezikshëm. Ai e tha këtë sepse Kurti ka nevojë për një parti shqiptare për ta bërë shumicën dhe Haradinaj po bën presion që ajo parti të jetë ai, dhe që ai të zgjidhet president i Kosovës. Do të vinte ajo, koalicioni për një Shqipëri të Madhe. Dhe pastaj ata do të fillojnë të na shantazhojnë me një Shqipëri të Madhe dhe do të thonë se nëse doni ta ndalim këtë, njiheni Kosovën. Me atë ide të huajt do të vijnë tek ne”, tha Vuçiq.
Ai u shpreh se nuk shqetësohet për atë që thonë politikanët e Prishtinës por që frikësohet se edhe të huajt do t’i bëjnë presion Serbisë për këtë ide.
“Kjo është ajo që unë mund të them dhe atë që pres. Një pranverë, verë, vjeshtë tmerrësisht e vështirë na pret. Por, ne do të luftojmë”, tha presidenti i Serbisë.
Po ashtu, Vuçiq komentoi deklaratën e Daniel Serwer që tha se presidenti serb nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.
“Serweri tha që nuk do të ndodhte, se unë nuk do ta njohja Kosovën. Kjo për shkak se ai e di se sa përgjegjës jam unë. Ai po mbështet në disa të tjerë, ai e di se unë jam shumë i përgjegjshëm”, tha Vuçiq.