Vuçiq: SHBA me siguri do ta zvogëlojë praninë në KFOR, por në thelb nuk do të ndryshojë asgjë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se SHBA “me siguri” do ta zvogëlojë praninë e saj në misionin KFOR, por se kjo, sipas fjalëve të tij, nuk do të ndryshojë në mënyrë thelbësore shumë gjëra sa i përket pozitës së serbëve në Kosovë, transmeton Paparaci.

Komanda Evropiane e SHBA-së (EUCOM) ka konfirmuar se, në bazë të një vlerësimi të rrezikut, do të kryejë një “përshtatje graduale” të kontributit amerikan në misionin KFOR.

“Uashingtoni me siguri do ta zvogëlojë disi praninë e trupave të tij, ndërsa të tjerët do ta mbajnë në të njëjtin nivel. Në thelb nuk do të ndryshojë shumë gjëra”, u tha Vuçiqi gazetarëve të mediave serbe, transmeton Beta.

Vuçiqi ka shtuar se i ka “lutur përfaqësuesit e KFOR dhe NATO që të garantojnë sigurinë e serbëve në Kosovë”.

“Një siguri e tillë në thelb nuk ekziston, sepse regjimi i Albin Kurti po gjen mënyra të tjera për t’i keqtrajtuar serbët dhe për të ushtruar presion ndaj tyre”, ka shtuar Vuçiqi./Paparaci.com