Vuçiq: Serbia nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi të dielën se vendi i tij nuk do të vendosë sanksione ndaj Federatës Ruse, duke theksuar se Serbia do të vazhdojë të ndjekë një politikë të pavarur dhe parimore.

“Politikën tonë e udhëheqim bazuar në parime, jo sipas asaj nëse diçka na pëlqen ose na përshtatet në një moment të caktuar. Do të vazhdojmë me politikën që kemi ndjekur deri më tani – një politikë që nuk e kanë dashur as në Perëndim e as në Lindje, por që e duan qytetarët e Serbisë, sepse është politikë e një shteti të pavarur dhe sovran”, tha Vuçiq gjatë një vizite në Qendrën e re për kujdes paliativ në Qendrën Klinike Universitare të Serbisë në Batajnicë.

Ai iu përgjigj deklaratës së ministrit për integrime evropiane, Nemanja Staroviç, dhënë mediave austriake, ku u aludua se Serbia mund të jetë e gatshme të vendosë sanksione ndaj Rusisë kur të bëhet anëtare e BE-së.

“Ministri Staroviq foli ndryshe dhe me pak kujdes, por gjithsesi ndryshe. Më vjen keq që disa miq tanë në mediat ruse mezi presin të gjejnë diçka për të kritikuar Serbinë, dhe më vjen keq që në skenën politike vendase ka më shumë njerëz që do të mbronin Rusinë sesa Serbinë,” tha Vuçiq, duke shtuar: “Duhet t’i zhgënjej të gjithë, Serbia nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë.”

“Do të kujdesemi që askush të mos na akuzojë se kemi nxitur konflikte ushtarake diku. Por kjo do të sjellë vështirësi për fabrikat tona, për pagesat dhe rrogat e punëtorëve”, shtoi ai.

Në përfundim, Vuçiq theksoi se Serbia nuk do të lejojë që të përdoret nga “lojtarët e mëdhenj” për interesat e tyre, dhe se politika e saj kundër sanksioneve mbetet e pandryshuar.

“Kur them se nuk do të ketë sanksione, nuk e them sepse e vendos një njeri i vetëm, por sepse shumica e ministrave dhe deputetëve ende duan të dëgjojnë qëndrimin tim për këtë çështje, dhe ai qëndrim nuk ka ndryshuar.”/trt

The post Vuçiq: Serbia nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë appeared first on Kosovapost.net.