Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë një interviste në Radio-Televizionin e Serbisë, pati një përplasje me moderatoren rreth vizitës së kancelarit të Austrisë, Christian Stocker.
Sipas mediave në Serbi, Stocker kishte ardhur në Beograd për t’i përcjellë Vuçiqit mesazhin se Bashkimi Evropian nuk është i kënaqur me qëndrimin e tij ndaj protestave.
Kur moderatorja e RTS-it iu referua kësaj, Vuçiq i cilësoi këto media “okupues.”
Moderatorja komentoi shkurt se “atë e thotë ai, e jo ajo”, gjë që u bë shkas për presidentin serb që të kritikonte edhe vetë RTS-in, shërbimin publik në Serbi.
“Unë e them, sigurisht, ashtu siç e them edhe që ju jeni ata që ndiqni një politikë të tillë, vetëm pak më të lyer, pak më të poshtër”, tha ai.
Në përgjigje të moderatores, e cila i tha se komenti i tij “nuk është në rregull”, Vuçiq kërcënoi se do të largohej nga emisioni.
“Dëshironi’ti ndaloni të mendoj? Të ngrihem unë tani e të dal?”, pyeti Vuçiq, duke shtuar se takimi me Stockerin kishte qenë “i jashtëzakonshëm” dhe se shkrimet e mediave në Serbi ishin “gënjeshtër”.
Në pjesën tjetër të intervistës, Vuçiq përsëriti narrativin tashmë të njohur se protestat “po organizohen nga Perëndimi” dhe se policia në Serbi është “jashtëzakonisht e durueshme”, pavarësisht pamjeve që tregojnë rrahje brutale të protestuesve në gjithë vendin gjatë ditëve të fundit.
Ndryshe, protestat në shtetin serb kanë nisur tash e disa muaj pas tragjedisë në Novi Sad, ku mbetën të vdekur 14 persona pas rënies së një pjese të çatisë në stacionin hekurudhor. /Telegrafi
The post Vuçiq për pak sa s’ia nxori sytë gazetës appeared first on Kosovapost.net.