Vuçiq në panik pas akuzave ruse: Do të urdhëroj ndërprerjen e të gjitha kontratave për shitjen e armëve nga Serbia

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka njoftuar më 29 maj se do të urdhërojë ndërprerjen e të gjitha kontratave për shitjen e armëve dhe municioneve për të cilat sipas tij, ekziston dyshim se mund të jenë keqpërdorur dhe të kenë përfunduar në frontin e luftës në Ukrainë.

Deklarata e Vuçiqit vjen një ditë pasi Shërbimi i Jashtëm Informativ i Federatës Ruse (SVR) publikoi një njoftim ku e akuzon Serbinë se, pavarësisht deklaratave për neutralitet, po vazhdon fshehurazi të furnizojë Ukrainën me municion.

Vuçiq reagoi përmes një paraqitjeje në edicionin qendror të lajmeve të Radio Televizionit të Serbisë (RTS), ku pranoi se për këtë çështje kishte biseduar edhe me presidentin rus Vladimir Putin gjatë vizitës së tij në Moskë në fillim të majit. Ai theksoi se tashmë është themeluar një grup pune mes Serbisë dhe Rusisë për të shqyrtuar faktet në lidhje me akuzat e ngritura.

“Do të jap pa diskutim urdhër dhe paralajmërim që, kudo që ekziston dyshim për keqpërdorim të ‘end user’-it dhe dërgim të armatimit në frontin e luftës, kontratat të mos realizohen”, u shpreh Vuçiq, raporton Radio Evropa e Lirë.

Ai përmendi edhe një rast konkret – kontratën e kompanisë shtetërore serbe “Jugoimport SDPR” me Republikën Çeke – duke theksuar se pavarësisht ekzistencës së marrëveshjes, lejet nuk janë lëshuar dhe asnjë raketë nuk është dorëzuar.

Përkundër akuzave, Vuçiq tha se disa pohime të bëra nga SVR nuk janë të vërteta, por ai nuk i mohoi plotësisht lidhjet indirekte me tregjet që potencialisht mund të çojnë municionin serb në Ukrainë.

“Fabrikat tona të industrisë së mbrojtjes duhet të vazhdojnë të punojnë. Nëse nuk mund të eksportojmë në Amerikë, në vendet e BE-së, në Turqi apo në vendet arabe të Azisë, atëherë ku mund ta shesim armën tonë? Ne kemi ndaluar eksportin e armëve, tani flasim vetëm për municion”, tha Vuçiq, duke theksuar se industrisë i duhet mbështetje për të mbijetuar.

Në njoftimin e publikuar nga SVR më 28 maj, përmenden emra të disa kompanive shtetërore dhe private serbe që, sipas pretendimeve të shërbimit rus, kanë furnizuar Ukrainën me qindra mijëra predha për raketahedhës dhe obusë, si dhe miliona fishekë për armë të vogla.

SVR pretendon se këto dërgesa janë realizuar përmes përdorimit të certifikatave të rreme të përdoruesit të fundit dhe përfshirjes së vendeve ndërmjetëse, përfshirë shtete të NATO-s si Çekia, Polonia dhe Bullgaria, ndërsa kohët e fundit edhe vende afrikane janë përdorur si kanale të kamufluara.

Vuçiq u shpreh se ka pasur një bisedë edhe me ambasadorin rus në Beograd për këtë çështje, dhe se Serbia do të përpiqet të mbajë marrëdhënie të mira “me të gjithë”.

Megjithatë, reagimi i shpejtë dhe vendimi për të pezulluar kontratat e dyshimta duket se pasqyron frikën e presidentit serb nga tensionimi i marrëdhënieve me Moskën, veçanërisht pas akuzave publike që mund të kompromentojnë pozicionin e Serbisë si vend neutral në konfliktin Rusi-Ukrainë.