Vuçiq mohon se ka pasur falsifikim dokumentesh për projektin e hotelit “Trump” në Beograd

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mohoi se ka ndonjë vonesë në planet e kompanisë së Jared Kushnerit për të ndërtuar një hotel luksoz në vendin e kompleksit të ish-Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Serbe në Beograd, i bombarduar në vitin 1999 nga NATO.

Hoteli i planifikuar nga rrjeti “Trump”, në pronësi të familjes së vjehrrit të Kushnerit, presidentit amerikan Donald Trump, në vlerë prej 500 milionë dollarësh, kërkon prishjen e ish-shtabit.

Këtë javë u arrestua Goran Vasiq, drejtor në detyrë i Institutit Republikan për Mbrojtjen e Monumenteve të Kulturës, i cili dyshohet për falsifikim dokumentesh me qëllim që kompania e Kushnerit ta zbatonte më lehtë projektin, shkruan N1, transmeton Klan Kosova.

Prokuroria njoftoi se Vasiq “abuzoi me pozicionin e tij zyrtar” duke falsifikuar nënshkrimet në një dokument që propozonte heqjen e mbrojtjes mbi një ndërtesë ushtarake.

Por, presidenti serb deklarohet ndryshe.

“Nuk pati asnjë lloj falsifikimi dhe do të diskutojmë gjithçka me të gjithë”, tha Vuçiq në përgjigje të një pyetjeje nga një gazetar në Tiranë, ku po merr pjesë në samitin e Komunitetit Politik Evropian.

“E dini, kjo është ajo që ndodh gjithmonë”, tha Vuçiq, duke krahasuar akuzat për falsifikim me ato të bëra më parë nga kundërshtarët e projektit “Beogradi mbi Ujë”, i cili ka shkaktuar polemika dhe protesta në Serbi.

“Tani të gjithë janë shumë krenarë për atë projekt”, tha Vuçiq, duke deklaruar se disa ish-kundërshtarë të atij projekti më vonë madje “blenë apartamente që shumë prej nesh nuk mund t’i përballonim në atë lagje”.

Ndërkohë, në Prokurorinë Publike për Krimin e Organizuar, Vasiq pranoi se duke tejkaluar autoritetin e tij zyrtar, falsifikoi propozimin për marrjen e vendimit për ndërprerjen e statusit të pronës kulturore për ndërtesat e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë dhe Malit të Zi dhe Ministrisë së Mbrojtjes në Beograd.