Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar sot, pas takimit me kryeministrin indian Narendra Modi, se “India do të vazhdojë me politikën e saj të deritanishme të mosnjohjes së Kosovës”, transmeton Paparaci.
“Kryeministri Modi tha se kjo është çështje e respektit të ndërsjellë, mirëkuptimit dhe ndjeshmërisë së palëve ndaj njëra-tjetrës, dhe kjo është e saktë. Një politikë e tillë do të vazhdojë”, u tha Vuçiqi gazetarëve në Nju Delhi, duke iu përgjigjur pyetjes nëse ndër temat e diskutimit ishte edhe çështja e Kosovës dhe qëndrimi i Indisë lidhur me këtë çështje.
Vuçiqi shprehu bindjen se kryeministri i Indisë do ta vizitojë Serbinë me ftesën e tij.
“Pothuajse besoj se kryeministri Modi do ta vizitojë Serbinë. Në vitin 2023 ne pritëm presidenten e Indisë pas 40 vjetësh, sa kohë nuk kishin qenë në Serbi. Shpresoj që Modi ta vizitojë vendin tonë”, ka thënë Vuçiqi.
Ai gjithashtu ka pretenduar se kishin zhvilluar një bisedë “jashtëzakonisht miqësore dhe përmbajtësore”.
“India ishte e vetmja superfuqi që deri më sot nuk e kishte konfirmuar pjesëmarrjen në Ekspo, ndërsa sot kryeministri Modi tha qartë dhe pa mëdyshje se India dëshiron një pjesëmarrje të konsiderueshme dhe se do të vijë në Ekspo në Beograd”, ka thënë Vuçiqi./Paparaci.com










