Vuçiq: Eurodeputetët janë të sëmurë dhe gënjeshtarë patologjikë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, së fundmi i quajti deputetët e Parlamentit Evropian gënjeshtarë dhe të sëmurë, ndërsa tani ka vlerësuar se Serbia deri në vitin 2030 mund të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, megjithëse si vend kandidat nuk ka arritur asnjë përparim në integrimet evropiane.

Agjencia kombëtare e lajmeve e Austrisë, APA shkruan se Vuçiq më 23 tetor në mbrëmje, në televizionin pro-qeveritar Pink, u ankua se kundër vendit të tij prej kohësh po zhvillohet një “luftë hibride serioze”.

Vuçiq “nuk e shpjegoi qartë se çfarë nënkupton me këtë”, por me gjasë bëhet fjalë për protestat studentore dhe qytetare në mbarë vendin, të cilat po zgjasin pothuajse një vit, “sepse ai foli për më shumë se 25 mijë tubime kriminale, të paregjistruara dhe të paligjshme”, raporton nova.rs.

APA shkruan se në presionet ndaj Serbisë, për të cilat Vuçiq tha se “vijnë nga drejtime të ndryshme”, ndoshta përfshihen edhe sanksionet amerikane kundër Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), e cila është degë e kompanisë ruse Gazprom.

Megjithatë, “Vuçiq, i cili në mesin e kësaj jave i quajti deputetët e Parlamentit Evropian ‘gënjeshtarë patologjikë’ dhe ‘të sëmurë seriozë’ për shkak të një rezolute të re mbi Serbinë, tani ka vlerësuar se ekziston një mundësi që Serbia të anëtarësohet deri në vitin 2030”.

“Në të njëjtën kohë, ky vend kandidat për anëtarësim në BE (Serbia) prej vitesh nuk ka arritur asnjë përparim në afrimin me BE-në”, përfundon APA.