“E njoftova Putinin me aleancën ushtarake të Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit”, ka deklaruar sot presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, transmeton Paparaci.
Ai gjithashtu ka thënë se ka biseduar me presidentin e Federatës Ruse, Vladimir Putin, lidhur me gazin duke pretenduar se Serbia ka marrë “tre muaj zgjatje të kontratës për gaz me kushte shumë të favorshme”.
“Sapo përfundova bisedën me Vladimir Putinin, për gjithçka – nga mjekësia, farmaceutika dhe vaksinat deri te pjesëmarrja e kompanive ruse në projektet në vendin tonë. Folëm për për të gjitha fushat. Morëm edhe tre muaj zgjatje të kontratës për gaz, me kushte shumë të favorshme. Në Evropë do të jemi vendi i dytë ose i tretë me çmimin më të ulët të gazit”, ka thënë Vuçiqi.
Përveç çështjes së gazit, konfirmoi Vuçiqi, ai ka biseduar me presidentin rus edhe për tema të tjera. Putini e ka pyetur për Kosovën dhe Republikën Serbe.
“Unë e pyeta presidentin Putin se çfarë mendon për përfundimin e armiqësive në Ukrainë, në Lindjen e Mesme dhe në Iran. Mora shpjegimin e tij, mendimin e tij. Ai më pyeti mua për Kosovën dhe Republikën Serbe. Këmbyem qëndrime…”, ka thënë ai.
Ai gjithashtu ka pohuar se e ka njoftuar Putinin me, siç thotë ai, aleancën ushtarake të Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit.
“E njoftova atë me aleancën ushtarake të Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit…”, ka thënë shkurt Vuçiqi.
Në profilin e tij në Instagram thuhet gjithashtu se ai e ka falënderuar presidentin rus për respektimin e integritetit territorial dhe sovranitetit të Serbisë.
“Me këtë rast, presidenti Vuçiq edhe një herë e ka falënderuar presidentin Putin për qëndrimin e palëkundur të Federatës Ruse dhe për respektimin e integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Serbisë, në përputhje me Kartën e OKB-së dhe Rezolutën 1244”./Paparaci.com










