Vuçiq e lë jashtë qeverisë Vulinin, politikanët që humbën vendet në qeverinë e re të Serbisë

Ish-zëvendëskryeministri i Serbisë, Aleksandar Vulin, nuk figuron në listën e anëtarëve të Qeverisë së mandatarit Gjuro Macut, për të cilët do të votohet nesër në Kuvendin e Serbisë.

Për herë të parë që nga viti 2013 – me një pauzë njëvjeçare kur drejtonte Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit (BIA) – Vulin nuk do të hyjë në qeveri, as si ministër dhe as si nënkryetar.

Për vite, Vulin është parë në vendet perëndimore si një anëtar i diskutueshëm i qeverisë serbe, kryesisht për shkak të lidhjeve të tij të ngushta me Rusinë, transmeton Telegrafi.

Ndërsa shërbente si drejtor i BIA-s në vitin 2023, Vulin u vendos në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të Shteteve të Bashkuara.

Senatori amerikan Chris Murphy, i cili merret me Ballkanin Perëndimor dhe Serbinë, së fundmi tha se shpreson që presidenti serb Aleksandar Vuçiq “do të shohë se sa i rrezikshëm është Vulin”.

Javën e kaluar dolën informacione se Bashkimi Evropian donte të vendoste sanksione ndaj Vulinit, megjithëse Këshilli Evropian e mohoi këtë.

“Vulin nuk i nënshtrohet masave kufizuese të BE-së”, u përgjigjën ata për Tanjug.

Përveç Vulinit, nga qeveria “kanë rënë” edhe Irena Vujoviq, Tomislav Zhigmanov, Aleksandar Martinoviq, Sllavica Gjukiq Dejanoviq, Dejan Ristiq, Jelena Begoviq, Tanja Mishçeviq dhe Maja Popoviq.