Vuçiq e akuzon Perëndimin se “po hesht për ngjarjet në Kosovë”

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka akuzuar Perëndimin se po “hesht” sa i përket ngjarjeve në Kosovë, duke iu referuar mbylljes së institucioneve dhe objekteve në veriun e Kosovës, që funksionojnë sipas sistemit serb.

Në një intervistë për televizionin publik të Serbisë, Vuçiq tha se zhvillimet e fundit dhe incidentet e fundit në Kosovë tregojnë se këto janë “veprime të organizuara” nga Prishtina, me ndihmën e “heshtjes kumbuese” të komunitetit ndërkombëtar, të udhëhequr nga shtetet perëndimore.

“Ata po heshtin sepse shpresojnë që në heshtje, populli serb do të dëbohet nga tokat e tyre shekullore në Kosovë. Në të njëjtën kohë, kjo po shkakton ankth te disa aktorë politikë në Perëndim dhe Lindje, që është një nervozë shtesë për [kryeministrin në detyrë të Kosovës, Albin] Kurtin, dhe këtë, në kuptimin politik, duhet ta shfrytëzojmë”, tha ai.

Kosova nisi mbylljen e institucioneve serbe në fillim të vitit 2024. Fillimisht u mbyllën organet e përkohshme komunale, banka Kursimorja e Postës, Posta e Serbisë, Fondi për sigurim pensional dhe shëndetësor, qendrat për punë sociale, ndërmarrjet publike dhe institucione të ngjashme.

Më pas ka vazhduar mbyllja edhe objekteve të tjera që funksionojnë sipas sistemit të Serbisë, përfshirë edhe salla sportive, biblioteka të qytetit, muzeu i qytetit në Mitrovicën e Veriut e të tjera.

Kosova i konsideron këto institucione të paligjshme dhe paralele.

Faktori ndërkombëtar vazhdimisht e ka kritikuar Kosovën për veprime të paakordinuara në veriun e Kosovës, sa i përket mbylljes së institucioneve.

Reagimi i fundit për këtë çështje erdhi pikërisht disa orë para intervistës së Vuçiqit, nga Mbretëria e Bashkuar që shprehu shqetësim me natyrën e pakoordinuar të mbylljes së institucioneve në veriun e Kosovës, që sipas Londrës, ofrojnë shërbime vitale për komunitetin serb dhe komunitetet e tjera joshumicë që jetojnë në veriun e Kosovës.

Gjatë intervistës, Vuçiq deklaroi se Serbia po tenton t’i kundërvihet “sulmit të ashpër të shqiptarëve”, të cilët, sipas tij, me mbështetjen e disa fuqive perëndimore dhe Turqisë, po tentojnë “të gjejnë sa më shumë shtete që munden për të njohur pavarësinë e Kosovës”.

“Është jashtëzakonisht e vështirë që të kundërshtohet kjo. Ne nuk kemi aq para sa kanë ata, apo armë dhe burime që të dërgojmë njerëz në botë për të blerë njohjen”, tha Vuçiq, pa dhënë dëshmi për këtë pretendim.

Së voni, pavarësinë e Kosovës e kanë njohur Kenia dhe Sudani, duke bërë që shteti deri më tani të njihet nga 116 vende të botës, sipas të dhënave të Ministrisë së Jashtme dhe Diasporës së Kosovës. Megjithatë, në vitet e fundit, Beogradi ka pretenduar se disa shtete kanë tërhequr njohjen e Kosovës.

Gjatë intervistës, Vuçiq po ashtu foli edhe për një projekt infrastrukturor në Kosovë. Ai tha se dje ka biseduar me kompaninë ndërtuese amerikane, Bechtel, që ndërton rrugë në Serbi, për mundësinë e vazhdimit të rrugës Kralevë-Novi Pazar. Ai tha se ka insistuar që 13.1 kilometrat e mbetur deri në Jarinjë – pika kufitare mes Kosovës dhe Serbisë – të ndërtohen po ashtu.

“Pastaj thashë: nëse mund të ndërtoni rrugën deri në Mitrovicë të Veriut, ne jemi të gatshëm ta paguajmë dhe do të ishte sukses për ne dhe një rrugë e rëndësishme drejt paqes, diçka e madhe për popullin serb që janë në ato katër komuna [në veri të Kosovës]. Por, dua të them se do të ishte një rrugë e rëndësishme e paqes me shqiptarët, të cilët po ashtu do të mund ta përdornin atë pasi ata kanë ndërtuar rrugët e tyre drejt Mitrovicës së Jugut, dhe nëse të gjitha këto rrugë do të lidheshin do të ishte një lajm i mirë”, u shpreh Vuçiq.

Serbia edhe më herët e kishte përmendur idenë e ndërtimit të rrugës që do të lidhte Jarinjën me Mitrovicën e Jugut. Por, më 2021, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga Albin Kurti, kishte thënë se Serbia nuk mund ta ndërtojë një rrugë të tillë, për shkak se është në territorin e Kosovës dhe është përgjegjësi e Kosovës. Kjo ide, atëbotë, nga Kosova ishte cilësuar si e papranueshme dhe e pavend. /REL